29 zjarre në 24 orët e fundit, 7 ende aktive, 25 janë shuar

25.08.2026 15:19

Gjatë 24 orëve të fundit, në territorin e vendit janë regjistruar gjithsej 29 zjarre në hapësira të hapura....

Gjatë 24 orëve të fundit, në territorin e vendit janë regjistruar gjithsej 29 zjarre në hapësira të hapura. Sipas Qendrës për Menaxhimin e Krizave, 7 prej tyre janë ende aktive, ndërsa 25 zjarre janë shuar plotësisht. Drejtori i Qendrës për Menaxhimin e Krizave, Muhamed Ali, për TVM2 thotë se situata më kritike paraqitet në komunat e Studeniçanit dhe Zelenikovës, ku janë angazhuar të gjitha kapacitetet shtetërore për vënien nën kontroll të flakëve. Në operacionin për shuarjen e zjarreve, janë përfshirë tre avionë të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, ekipet e Brigadës së Zjarrfikësve të Qytetit të Shkupit, si dhe ekipet e Pyjeve Nacionale.
 
“Zjarri me rrezikun më të madh është në komunat e Studeniçanit dhe Zelenikovës. Momentalisht, të gjitha resurset shtetërore po intervenojnë, përfshirë tre avionët e Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, ekipet zjarrfikëse nga Qyteti i Shkupit dhe ekipet e Pyjeve Nacionale. Për momentin nuk rrezikohet asnjë fshat. Prioritet e kemi që zjarri të mos kalojë në malin Kitka. Deri tani po ia arrijmë me ekipet në terren dhe me ndërhyrje nga ajri. Kemi një zjarr edhe në Gradsko, ku gjithashtu po intervenojnë ekipet. Zjarre aktive ka edhe në Kërçovë, Zajaz, Prilep dhe Kavadar. Në të gjitha zonat po intervenojnë ekipet zjarrfikëse. Në zjarre është përfshirë bar i thatë dhe pyje të përziera.”, - deklaroi drejtori i QMK-së, Muhamed Ali.
 
Ndërkohë, gjatë 24 orëve të fundit janë shuar 25 zjarre në lokacione të ndryshme në të gjithë vendin, dhe atë në Strumicë, Vasilevë, Dellçevë, Kumanovë, Jegunovcë, Gostivar, Vrapçisht, Demir Hisar, Probishtip, Ilinden, Saraj, Çair, Studeniçan, Haraçinë, Makedonski Brod, Novaci, Petrovac, Berovë, Karbinci dhe Çeshinovë-Obleshevë. Për shkak të rritjes së rrezikut nga zjarret në hapësira të hapura dhe zjarret pyjore, Qeveria ka shpallur gjendje krize në të gjithë territorin e vendit deri në fund të gushtit.
 
ABIBE QAILI