Maqedoni
Shtohet bashkëpunimi mes institucioneve shkencore shqiptare
17.06.2015 16:37
Drejtorët e tre instituteve shqiptare të Shkupit, Prishtinës dhe Tiranës dhe ministri i Arsimit, Abdylaqim Ademi, u dakorduan për bashkërendimin e aktiviteteve të përbashkëta shkencore...

Ministri Ademi është optimist se ky takim do të japë rezultate në përpilimin e teksteve të reja të historisë dhe mënjanimin e informacioneve jo të sakta dhe ofenduese për shqiptarët.
“Shpresoj se ky takim do të rezultojë me projekte konkrete në botimin e teksteve që kanë të bëjnë me historinë e popullit shqiptar në Maqedoni dhe më gjerë, që do të jenë bazë pastaj edhe për përpilimin e teksteve shkollore, që është më problematikë si lëndë mësimore me përmbajtje kontroverse jo të sakta dhe ndonjëherë edhe ofenduese. Për të përpiluar tekste shkollore na duhet bazë e mirë dhe kjo mund të ndërtohet nga historianët, duke filluar me botimet e teksteve për historiografinë e shqiptarëve në Maqedoni”- deklaroi ministri i Arsimit, Abdylaqim Ademi.
Drejtori i Institutit të Historisë në Tiranë thotë se fyerjet e fqinjëve janë mungesë qytetërimi, por edhe mungesë e njohjes.
“Përcillem me keqardhje kur dëgjohen fyerje dhe përcaktime të tilla, sigurisht që përcillen edhe me një lloj buzëqeshje ironike për nivelin e ulët të atyre që artikulojnë këto fyerje. Të fyesh popujt fqinjë me epitete të tilla është mungesë kulture dhe qytetërimi, por këto janë gjëra që ndodhin dhe ne duhet të luftojmë që këto të tejkalohen”- tha drejtori i Institutit të Historisë në Tiranë, Beqir Meta.
Bashkëpunimi sidomos në përpilimin e teksteve dhe studimeve historike, do të ndihmojë jo vetëm shqiptarët në përpilimin e historisë, por do t’u jepte këtyre botimeve edhe një kahje të duhur gjithëpërfshirëse.
“U dakorduam që do të bëjmë disa aktivitete të përbashkëta shkencore dhe projekte të përbashkëta afatshkurta, afatmesme dhe afatgjata, dhe me një bashkërendim të forcës krijuese çdo gjë do të jetë në nivel të dijes dhe historiografisë shqiptare, ballkanike dhe botërore”- theksoi drejtori i Institutit të Historisë së Prishtinës, Sabit Syla.
“Ne e kemi një program të qartë se si do të rrjedh puna e shkuarjes së kësaj historie, sepse duhet të formohen ekipe të tëra dhe përvoja e drejtorit të Institutit të Tiranës do të na shërbejë edhe ne të marrin një kahje të duhur shkencore, më saktë ky përpilim i kësaj historie”- u shpreh drejtori i ITKSh-së, Skender Asani.
Ministri Ademi i informoi edhe miqtë nga Tirana e Prishtina se shumë shpejt ITKSh bashkë me objektin e UShT-së në Shkup do të kenë objekte të reja sipas të gjitha standardeve, që do të ndërtohen në truallin e ish Kazermës “Ilinden”.
FLUTURA LATIFI
