Maqedoni
Gjykimi për rastin “Puls”, dëshmoi dekani i Fakultetit të Ndërtimtarisë
25.08.2026 15:29
Eksperti Goran Markovski ishte dëshmitari i seancës së sotme gjyqësore për tragjedinë në diskotekën “Puls”...

Në seancën e sotme gjyqësore për tragjedinë në diskotekën “Puls” në Koçan, ku humbën jetën 63 persona, në fokus ishte eksperti Goran Markovski, dekan i Fakultetit të Ndërtimtarisë në Shkup. Gjatë marrjes në pyetje u hapën dilema për shndërrimin e objektit nga hapësirë prodhuese në diskotekë, me ç'rast Markovski tha se marrëveshjet mes pronarit dhe qiramarrësit nuk mund t’i zëvendësojnë detyrimet ligjore.
Familjarët e viktimave shprehën pakënaqësi, duke vlerësuar se disa pyetje janë të përsëritura dhe nuk ndihmojnë në zbardhjen e plotë të rastit.
“Shtyrja e seancës gjyqësore nuk do të krijojë argumente në mënyrë magjike. Ne do të ndjekim dhe do të dëgjojmë aq sa duhet, sepse pas këtyre gjykimeve nuk qëndrojnë vetëm grumbuj dokumentesh dhe ekspertizash, por 63 jetë që humbën dhe familje që çdo ditë i përjetojnë pasojat. Faktet kundërshtohen me fakte, ekspertizat me argumente, ndërsa koha, siç duket, me pyetje pa fund.”, - theksoi familjari, Aleksandar Naunov.
