Botë

Masakër në Haiti, rreth 50 të vrarë, bandat e armatosura sulmojnë banorët e Kenskofit

25.08.2026 15:44

Të paktën 47 persona janë vrarë dhe 22 të tjerë janë plagosur në një sulm të bandave të armatosura në Kenskof...

Të paktën 47 persona janë vrarë dhe 22 të tjerë janë plagosur në një sulm të bandave të armatosura në Kenskof, në kodrat mbi kryeqytetin e Haitit, Port-o-Prens. Sipas Kombeve të Bashkuara, bilanci mund të ndryshojë, pasi disa persona ende rezultojnë të zhdukur. Sulmi ndodhi gjatë natës dhe shkaktoi panik në mesin e banorëve, ndërsa disa shtëpi u dogjën dhe shumë persona u morën peng. Banorët kërkojnë përgjegjësi nga autoritetet, duke i akuzuar se nuk kanë arritur t’i mbrojnë, edhe pse sulmi ndodhi pranë një stacioni policor. Sipas dëshmive, policia u kundërpërgjigj ndaj sulmuesve, ndërsa disa efektivë u plagosën. Shefi i policisë, Vladimir Paraison, tha se rezistenca ndaj bandave vazhdoi. 
 
“Me sytë e mi pashë nga 45 deri në 50 të vdekur, pa llogaritur ata që i morën me vete dhe ata që ende konsiderohen të zhdukur. Të vrarët ishin të rinj, e ardhmja e këtij vendi. Prindërit e tyre u përpoqën shumë për t’i shkolluar. Ata vdiqën për shkak të kryeministrit Fis-Aime dhe inspektorit Kade.”, - u shpreh banori i Kenskofit.
 
“Fermerët nuk mund ta përballojnë më këtë situatë. Ata kanë nevojë vetëm për siguri. Në këtë tragjedi humba 8 të afërm. Pushteti qendror duhet ta zgjidhë problemin.”, - theksoi banori i Kenskofit.
 
“Po vrisnin njerëz pranë stacionit të policisë, ndërsa policët flinin brenda. Inspektori po argëtohej në Tomasen, ndërsa banorët e Kenskofit ishin nën sulm. Ata e shkatërruan Kenskofin. Populli nuk din se ku të largohet.”, - u shpreh banori i Kenskofit.
 
Sulmi dyshohet se është kryer nga koalicioni kriminal “Viv Ansanm”, një aleancë e fuqishme bandash që ka zgjeruar kontrollin në Port-o-Prens dhe në zonat përreth. Kenskofi, për shkak të pozicionit të tij strategjik mbi rrugët që çojnë drejt kryeqytetit, është kthyer në një pikë të rëndësishme të konfliktit. Kjo nuk është hera e parë që zona përballet me dhunë të tillë. Sipas OKB-së, gjatë dy muajve të parë të vitit 2025, sulmet në Kenskof lanë më shumë se 260 persona të vrarë dhe rreth 200 shtëpi u shkatërruan, duke detyruar rreth 3 mijë banorë të largoheshin. Që atëherë, zona është përballur me sulme të tjera, përfshirë rrëmbime, zjarrvënie dhe grabitje të bagëtive. Qeveria haitiane e ka dënuar sulmin dhe ka premtuar dërgimin e përforcimeve në Kenskof për rikthimin e kontrollit të shtetit. 
 
FARIJE DAUTI BAKIU