Botë
Ukraina godet objektivat ruse, Evropa rrit presionin ndaj Moskës
25.08.2026 16:03
Sulmet e ndërsjella mes Moskës dhe Kievit vazhdojnë....

Sulmet e ndërsjella mes Moskës dhe Kievit vazhdojnë. Forcat ukrainase goditën sërish rafinerinë më të madhe të naftës për prodhimin e dizelit në jug të Rusisë, ndërsa Moska po përballet me mungesë karburanti. Kremlini kundërpërgjigjet duke thënë se Kievi ka hapur “Kutinë e Pandorës” dhe tani po përballet me pasojat. Ndërkohë, aleatët evropianë rikonfirmuan mbështetjen për Ukrainën. Zelenski tha se vendi duhet të ketë kapacitet për sulme me rreze të gjatë.
“Mendoj se kjo është një nga mënyrat për ta nxitur Putinin drejt negociatave. Ukraina shpenzon 140 miliardë euro në vit për mbrojtjen, krahasuar me 340 miliardë euro që shpenzon Rusia. Duhet të jemi konkurrues për nga numri i goditjeve në thellësi të territorit. Na duhen të paktën 300 raketa “Patriot” përpara dimrit. Çdo raketë nënkupton shpëtimin e jetëve.”, - deklaroi presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski.
Finlanda vlerësoi se sulmet ukrainase ndaj qendrave logjistike ruse janë një strategji e justifikuar ushtarake dhe mund të kontribuojnë në krijimin e kushteve për negociata paqeje.
“Goditja e qendrave logjistike është një strategji e arsyeshme ushtarake nga Ukraina. Kjo është mënyra e vetme për të hyrë në negociatat e paqes dhe për të arritur në tryezën e bisedimeve.”, - theksoi presidenti i Finlandës, Alexander Stubb.
Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, deklaroi se Brukseli do të vazhdojë me ndihmën financiare, ushtarake dhe politike për Ukrainën, si dhe me presionin ndaj Moskës.
FARIJE DAUTI BAKIU
