Botë

Greqia përfshihet nga zjarret, 39 vatra të reja brenda pak orësh

25.08.2026 21:04

Greqia është përfshirë nga një valë e re zjarresh...

Greqia është përfshirë nga një valë e re zjarresh, me 39 vatra të reja të regjistruara në zona të ndryshme të vendit brenda pak orësh, njoftoi shërbimi zjarrfikës.

Situata më e rëndë paraqitet në ishullin Salaminë, pranë Athinës, ku një zjarr i fuqishëm është përhapur në një zonë me bimësi. Në ishull ndodhet edhe baza më e madhe e Marinës Ushtarake Greke, por autoritetet kanë bërë të ditur se flakët nuk përbëjnë rrezik për bazën.

Për shuarjen e zjarrit janë angazhuar forca të shumta zjarrfikëse, ndërsa në operacion janë përfshirë edhe avionë dhe helikopterë zjarrfikës. Në terren ndodhen gjithashtu vullnetarë që po ndihmojnë ekipet e emergjencës.

Autoritetet greke kanë ngritur alarmin për rrezikun e zjarreve, pasi thatësira e vazhdueshme ka krijuar kushte të favorshme për përhapjen e flakëve në pjesën më të madhe të vendit.

Situata është rënduar edhe nga temperaturat e larta. Në qendër të Athinës, temperaturat arritën në 40 gradë Celsius të martën, ndërsa vala e të nxehtit pritet të vijojë deri në fillim të javës së ardhshme.

Shërbimet e mbrojtjes civile vijojnë monitorimin e zonave me rrezik të lartë, ndërsa ekipet zjarrfikëse janë në gatishmëri për të ndërhyrë në rast të përhapjes së mëtejshme të zjarreve.