Maqedoni
Fillon aplikimi për ushqim të subvencionuar për studentët
26.08.2026 09:44
Prej sot fillon aplikimi për ushqim të subvencionuar për studentët për vitin akademik 2026/2027....

Prej sot fillon aplikimi për ushqim të subvencionuar për studentët për vitin akademik 2026/2027. Afati përfundon më 31 gusht, ndërsa aplikim të ri duhet të bëjnë edhe përfituesit e deritanishëm, si dhe studentët e vitit të parë që dëshirojnë ta shfrytëzojnë këtë të drejtë nga 1 tetori.
Studentët që i plotësojnë kushtet do të marrin nga 140 denarë në ditë për ushqim, nga e hëna deri të shtunën.
Të drejtë për ushqim të subvencionuar kanë shtetasit e Maqedonisë që janë studentë të rregullt në ciklin e parë ose të dytë të studimeve, si dhe studentët në studime të integruara në universitetet shtetërore dhe private.
Kusht shtesë është që kandidati të mos ketë të ardhura mujore, mbi çfarëdo baze, më të larta se paga minimale neto në vend.
E drejta nuk vazhdohet automatikisht nga viti i kaluar akademik, prandaj edhe përfituesit e deritanishëm duhet të aplikojnë përsëri.
Aplikimi bëhet tërësisht në mënyrë elektronike përmes portalit të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës. Kandidatët duhet të plotësojnë, nënshkruajnë dhe bashkëngjisin dy dokumente – „Aplikimi për fitimin e së drejtës për ushqim të subvencionuar për studentët“ dhe „Deklarata për saktësinë e të dhënave të futura“.
Të dy formularët duhet të nënshkruhen dhe të bashkëngjiten në aplikimin elektronik.
