Maqedoni

Bie nisma e AD-së për ndryshimin e Kodit Zgjedhor

17.06.2015 17:04

VMRO-DPMNE nuk mbështet nismën e Aleancës Demokratike për ndryshimin e Kodit Zgjedhor, me të cilën propozuesi parasheh organizimin e Maqedonisë si një njësi zgjedhore...

Sipas deputetit, Pavle Trajanov, propozues i projekt/ligjit për ndryshimin e Kodit Zgjedhor të RM-së, praktika po dëshmon se me Kodin aktual po eliminon partitë e vogla dhe etablohet sistemi njëpartiak dhe parlamenti nuk po e luan rolin e kontrollit mbi qeverinë. Organizimi i Maqedonisë si një njësi zgjedhore mundëson reflektimin real të vullnetit të qytetarëve dhe peshë të barabartë të votës, thekson Trajanov.        
 
“Nëse Maqedonia është një njësi zgjedhore, atëherë do të kemi reflektim real të vullnetit të qytetarëve në parlament, d.m.th. vullneti i qytetarëve do të jetë i pasqyruar në parlament. Me këtë model, nëse bëhet një njësi zgjedhore, do të rritet përgjegjësia në parlament dhe partitë politike do të jenë të detyruara të bashkëpunojnë ose të bëjnë koalicione paszgjedhore. Kështu do të rritet përgjegjësia e partisë që ka fituar më shumë mandate deputetësh dhe çfarë është më me rëndësi, dhe praktika po e dëshmon, se parlamenti do të ketë rol mbikëqyrës dhe kontroll mbi pushtetin ekzekutiv. Kështu siç jemi vendosur tani, kur një parti ka shumicë, në thelb etablohet sistem njëpartiak”- deklaroi Pavle Trajanov nga Aleanca Demokratike. 
 
Mirëpo, VMRO vlerëson se ndryshimi i Kodit Zgjedhor nuk mund të bëhet pa pjesëmarrjen e opozitës dhe pa konsensus të gjerë politik.
 
“Ne nuk mundemi, në fazë kur parlamenti nuk punon në përbërje të plotë, të mbështesim propozim për të cilin jeni i vetëdijshëm se nuk do të mund ta mbështesim, por megjithatë e propozoni për të treguar qëndrimin tuaj dhe në këtë drejtim do të jetë edhe votimi i grupit parlamentar të VMRO-DPMNE-së”- tha Rome Trenov nga VMRO-DPMNE.
 
Bashkëpropozues i këtij projekt/ligji është edhe Liljana Poposka nga Ripërtëritja Demokratike e Maqedonisë, ndërsa propozimin e përkrahu edhe Partia Demokratike e Turqve në Maqedoni.
 
Anëtarët e Komisionit për Sistem Politik dhe Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive nga partitë shqiptare nuk morën pjesë në seancën e sotme.
 
SHPËTIM NUREDINI