Maqedoni

Vazhdon gjykimi për rastin „Onkologjia“

26.08.2026 11:38

Në Gjykatën Themelore Penale në Shkup sot vazhdon gjykimi për rastin „Onkologjia“

Në Gjykatën Themelore Penale në Shkup sot vazhdon gjykimi për rastin „Onkologjia“, në të cilin ish-drejtori i Klinikës për Radioterapi dhe Onkologji, Nino Vasev, dhe dy onkologë të tjerë akuzohen për trajtim të pakujdesshëm të pacientëve.
 
Në seancën e kaluar, me propozim të mbrojtjes, u dëgjua eksperti Vladimir Danillovski. Ai sqaroi se ekspertiza e tij nuk kishte të bënte me zgjedhjen e terapisë onkologjike, por me përcaktimin e pasojave eventuale të trajtimit të aplikuar dhe ekzistencën e lidhjes shkak-pasojë ndërmjet vendimit të mjekut dhe pasojës konkrete.
 
Sipas aktakuzës, Vasev dhe onkologët Simonida Crvenkova dhe Dragan Jakimovski akuzohen për vepra të rënda të vazhduara kundër shëndetit të njerëzve dhe trajtim të pakujdesshëm. Në lëndë janë përfshirë gjithsej 47 pacientë, të cilët, sipas Prokurorisë, kanë marrë terapi të papërshtatshme, me devijime në dozimin dhe pa vlerësim adekuat të gjendjes shëndetësore.
 
Procedura fillimisht zhvillohej edhe ndaj onkologes Meri Peshevska, e cila e pranoi fajin dhe u dënua me dy vjet burgim me kusht.
 
Rastin e drejton gjykatësja Snezhana Markovska, ndërsa aktakuzën e përfaqëson prokurorja publike Marija Gjorgjeva nga Prokuroria Themelore Publike – Shkup.