Botë

Tragjedi në Pakistan, 14 foshnja humbën jetën në zjarr

26.08.2026 13:44

Të paktën 14 foshnja të porsalindura humbën jetën në një zjarr në repartin e lindjes në Islamabad....

Të paktën 14 foshnja të porsalindura humbën jetën në një zjarr në repartin e lindjes në Islamabad. Vetëm një bebe është shpëtuar nga spitali shtetëror. Sipas autoriteteve, zjarri shpërtheu pas eksplodimit të kompresorit të një kondicioneri. Vdekja e foshnjave shkaktoi pikëllim në të gjithë vendin. Policia u vendos në spital, ndërsa prindërit dhe të afërmit e pikëlluar u mblodhën duke kërkuar përgjegjësi dhe përgjigje se si nisi zjarri dhe nëse spitali kishte pajisjet e nevojshme për mbrojtjen dhe shuarjen e zjarrit.
 
“Kisha një djalë vetëm tre ditësh. Si mund të thonë se të gjitha foshnjat u dogjën, kur asnjëra prej tyre nuk ishte djegur? Na thonë se fillimisht duhej të shpëtonin të rriturit  dhe ata i shpëtuan. Pse i shpëtuan ata? Ata mund të dilnin vetë. Pse nuk i shpëtuan fillimisht foshnjat? Pse reparti i foshnjave ishte i mbyllur? Ekipi i shpëtimit mbërriti pas dy orësh, ndërsa policia vetëm pas katër orësh – pse? Çfarë do të bënit nëse fëmija juaj do të ishte vrarë?”, - u shpreh nëna që humbi djalin e saj të sapolindur.
 
“Ky zjarr është pasojë e faktorit njeri, gjithçka është faji i njerëzve.”, - theksoi babai që humbi fëmijën, Muhamed Sami.
 
Kryeministri i Pakistanit urdhëroi hetim të menjëhershëm për shkaqet e tjera të zjarrit dhe shprehu ngushëllime për familjet e viktimave. Ministri i Shëndetësisë, ndërkaq, si prioritet kryesor veçoi mbështetjen për prindërit dhe kthimin e trupave të foshnjave te familjet. Ndërkohë, është formuar një komision që do të vlerësojë nëse janë marrë masat e duhura për sigurinë nga zjarri dhe do të përgatisë raportin brenda 24 orëve.
 
ARMEND MURSELI