Botë
Lubjanë, ndalohet Ramush Haradinaj, urdhërarrest nga policia serbe
17.06.2015 17:28
Policia e Sllovenisë ka ndaluar kreun e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, në bazë të një fletëarresti të lëshuar nga Policia e Serbisë, në vitin 2006...

Ky i fundit ishte për një vizitë zyrtare në Berlin dhe po kthehej për në Kosovë, përmes Aeroportit të Lubjanës në Slloveni. Haradinaj shprehu mllefin ndaj autoriteteve sllovene, duke i krahasuar këto autoritete me ato të Serbisë.
“Në të gjitha aeroportet është pastruar ky fletëarrest, ndërsa vetëm në këtë të Lubjanës jo. Gjatë udhëtimit tim që pata kam kaluar nëpër disa aeroporte dhe në të gjitha është pastruar kjo histori. Po këta janë si ata, vëllezërit e tyre”- tha Haradinaj.
Kreu i AAK-së do të qëndrojë në Aeroportin e Lubjanës edhe për disa orë, pasi tashmë ka humbur avionin dhe po pret një tjetër avion për t’u kthyer shpejt në Prishtinë.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e konsideroi këtë veprim "një ndërhyrje me qëllime të njëjta dhe identike si të policisë serbe ndaj Ramush Haradinajt".
Edhe Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës ka reaguar për ndalimin e liderit të AAK-së nga autoritetet sllovene.
Në një deklaratë për media të lëshuar nga MPJ thuhet se Ambasada e Kosovës në Lubjanë është informuar për ndalimin e Haradinajt dhe është vënë në kontakt me autoritetet përgjegjëse, konkretisht me Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe atë të Brendshme të Sllovenisë, për të sqaruar rrethanat e ndalimit.
