Botë

Lufta tregtare ShBA – Kanada, tarifat arrijnë deri në 50%

26.08.2026 14:04

Uashingtoni nuk e fsheh shqetësimin për ndikimin e luftës tregtare me Kanadanë tek fermerët amerikanë....

Uashingtoni nuk e fsheh shqetësimin për ndikimin e luftës tregtare me Kanadanë tek fermerët amerikanë. Megjithatë, administrata e Trump-it beson se ShBA-ja do të dalë fituese nga negociatat, ndërsa Otava ka paralajmëruar tarifa hakmarrëse deri në 50 për qind për produktet amerikane, që do të hyjnë në fuqi më 8 shtator.
 
“Nuk ka dyshim se kjo shkakton shqetësim, por e kam parë presidentin Trump edhe më parë duke marrë vendime të vështira dhe më pas duke pasur sukses, veçanërisht në tregti. Besoj fuqimisht se Amerika do të jetë në një pozitë më të mirë pas raundit të ardhshëm të negociatave dhe se fermerët dhe blegtorët tanë do të kenë përfitimin më të madh.”, - deklaroi ministrja e Bujqësisë e ShBA-së, Brook Rollins. 
 
Kanadaja, nga ana tjetër, thotë se masat e saj janë një përgjigje proporcionale dhe strategjike, e hartuar për t’iu kundërpërgjigjur tarifave amerikane.
 
“Kanadaja duhet të përgjigjet në mënyrë proporcionale, të synuar dhe strategjike. Ne do t’i barazojmë tarifat e ShBA-së, dollar për dollar, normë për normë. Bëhet fjalë për drejtësinë dhe për kushte të barabarta loje.”, - theksoi ministri i Financave i Kanadasë, François Philippe Champagne. 
 
Shumë kanadezë thonë se, në shenjë mbështetjeje, po blejnë produkte vendase.
 
“Po bëjmë gjithçka që mundemi për të blerë produkte kanadeze. Sa u përket tarifave, do t’ia dalim – Trump-i nuk do të jetë president përgjithmonë.”, - u shpreh banorja e Windsor-it, Kanada, Patricia Wiseman. 
 
Trump-i i përshkallëzon më tej marrëdhëniet me fqinjin dikur miqësor, duke i hedhur benzinë zjarrit me propozimin që Liqeni Ontario të riemërtohet në Liqeni i Amerikës.
 
“ShBA-ja po shqyrton seriozisht riemërtimin e Liqenit Ontario në Liqeni i Amerikës, duke pasur parasysh se nuk presim më të kemi shumë bashkëpunim biznesi me Ontarion.”, thuhet në postimin e presidentit të ShBA-së, Donald Trump-it.
 
Propozimi u prit me tallje dhe kritika nga të dyja anët e kufirit.
 
“Është e pakuptimtë. Është thjesht edhe më shumë hiperbolë dhe iritim për ne.”, - u shpreh kanadezi nga Ontario, Paul Butler. 
 
“Trump-i duhet të merret me çështjet që janë më të rëndësishme për vendin dhe të ndalojë të sillet si një fëmijë i llastuar.”, - theksoi amerikani nga Nju Jorku, Martin Wortman. 
 
Kreu i Shtëpisë së Bardhë njoftoi një tjetër goditje dhe tarifa të mundshme prej 50 për qind për automjetet, kamionët dhe çelikun kanadez, duke filluar nga 1 janari. 
 
ARMEND MURSELI