Rajon

Shqipëri, pesë shqiptarë janë riatdhesuar nga Siria

26.08.2026 14:22

Pesë shqiptarë, mes tyre 3 të mitur nga 9-17 vjeç dhe 2 gra, janë riatdhesuar nga Siria....

Pesë shqiptarë, mes tyre 3 të mitur nga 9-17 vjeç dhe 2 gra, Hajrie Taushani dhe Myrvete Dibra, janë riatdhesuar nga Siria, pas një operacioni të koordinuar mes autoriteteve shqiptare dhe atyre siriane. Të riatdhesuarit mbërritën në Tiranë nga aeroporti “Sabiha Gokçen” i Stambollit rreth orës 01:20 të mëngjesit të sotëm. Ata u pritën nga ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari.
 
Mësohet se Hajrie Taushani, nga Elbasani, pas vrasjes së djalit të saj Sherif Taushanit në vitin 2014, kishte udhëtuar drejt Sirisë, për t’iu bashkuar formacioneve të ISIS-it, me qëllim që të merrte mbesën e saj 17-vjeçare.
 
79-vjeçarja ka qëndruar në kampin Al-Hol në Siri, ku është kujdesur për fëmijë të mitur, përfshirë dy fëmijë jetimë që ndodheshin nën kujdesin e saj. Ndërsa, gruaja tjetër e riatdhesuar, Myrvete Dibra, ka qenë bashkëshortja e shtetasit malazez Hamid Beharoviq, nga Ulqini, i cili u dënua me 6 muaj burg nga Gjykata e Lartë në Podgoricë për pjesëmarrje në formacione të armatosura të huaja. Pritet që ata t'u nënshtrohen kontrolleve shëndetësore dhe vlerësimeve psikosociale dhe më pas do të vijojë procesi i akomodimit, rehabilitimit dhe riintegrimit të tyre në shoqëri. Aktualisht në Siri dyshohet se janë edhe 17 shqiptarë të tjerë të cilët kanë qenë në kampet siriane, gra dhe fëmijë, si dhe 10 burra të tjerë shqiptarë në burgje dhe një pjesë tjetër të cilëve nuk u dihet fati.
 
LULJETA NDOKA