Kulturë

Kumanova sërish në qendër të jetës teatrore me edicionin e tretë të “KU-Fest”

26.08.2026 14:33

Kumanova edhe këtë vit do të jetë në qendër të jetës teatrore dhe kulturore me edicionin e tretë të Festivalit Ballkanik të Teatrit “KU-Fest”...

Kumanova edhe këtë vit do të jetë në qendër të jetës teatrore dhe kulturore me edicionin e tretë të Festivalit Ballkanik të Teatrit “KU-Fest”, i cili do të mbahet nga 31 gushti deri më 5 shtator. Gjatë këtyre ditëve të festivalit, publiku do të ketë mundësi të ndjekë gjashtë shfaqje teatrale nga katër shtete pjesëmarrëse: Maqedonia e Veriut, Kosova, Bullgaria dhe Serbia. Festivalin e hap muzika, ndërsa nata përmbyllëse sjell ndarjen e çmimeve. Hapja zyrtare e festivalit, më 31 gusht, do të shoqërohet me performancën muzikore të Nezafete Shalës dhe Melodia e Vjetër.
 
“Do të jetë Bullgaria me teatrin nga qyteti i Qystendilit, Kosova me teatrin nga Gjilani, nga Serbia do të vijë teatri i Preshevës. Nata e parë më 31 gusht do të fillojë me Teatrin Kombëtar të Shkupit me shfaqjen “Rinoqerontët”, nata e dytë do të fillojë në ora 20:00 do të jetë shfaqja “Vetmi në Perëndim”e teatrit të Preshevës, nata e tretë do të fillojë me dramën maqedonase të Kumanovës me shfaqjen “Xhaxhi Tufa”, nata e katërt është e rezervuar për teatrin bullgar të Qystendilit me shfaqjen “Albumi familjar”, në natën e pestë do të kemi teatrin e Gjilanit të Kosovës me shfaqjen “Nëna” dhe në natën e fundit do të jemi me teatrin shqiptar të Kumanovës drama shqipe me shfaqjen “Njeriu Jastëk”, por kjo shfaqje do të jetë përshëndetëse e që nuk do të garojë, sa u përket çmimeve që u dedikohen teatrove të tjera.”, - theksoi Mendim Murtezi nga Festivali Ballkanik “KU-Fest”.
 
Në kuadër të festivalit do të ndahen gjithsej shtatë çmime, përmes të cilave do të vlerësohen arritjet më të spikatura artistike.
  • Çmimet do të përfshijnë:
  • Çmimin për Shfaqjen më të Mirë;
  • Çmimin për Regjinë më të Mirë;
  • Çmimin për Aktorin dhe Aktoren më të Mirë në Rol Dytësor;
  • Çmimin për Aktorin dhe Aktoren më të Mirë në Rol Kryesor;
  • Çmimin për Aktorin më të Mirë të Festivalit, i cili mban edhe emrin e çmimit special “Sefedin Nuredini”.
 
Juria profesionale do të vlerësojë shfaqjet, juri kjo e përbërë nga personalitete të njohura të medias dhe artit skenik.
 
“Juria është profesionale, kemi tre persona të cilët na kanë përkrahur dhe u jemi shumë falënderues. Bëhet fjalë për Ziadin Murtezin, aktor i mirënjohur, pastaj kemi gazetaren dhe kryeredaktoren e TVM2, Leunora Kaliqi, njëkohësisht Leunora Kaliqi është edhe kryetarja e kësaj jurie profesionale, si dhe aktori Robert Ristov, regjisor, aktor, producent i njohur, që do të jetë në detyrë për ndarjen e çmimeve për Teatrot, Aktorin, Regjisorin.”, - theksoi Mendim Murtezi nga Festivali Ballkanik “KU-Fest”.
 
Nata përmbyllëse do të shënohet me ndarjen e çmimeve për artistët dhe shfaqjet më të spikatura të edicionit të tretë, ndërsa programi do të përmbyllet me performancën e këngëtarit Shpend Latifi.
 
Të theksojmë se për mbarëvajtjen e këtij eventi u përkujdesën Ministria e Kulturës së RMV-së dhe Komuna e Kumanovës.
 
FATLUM AQIFI