Botë

Konjufca: LVV-ja i ka gati emrat e kandidatëve për president

26.08.2026 14:44

Lëvizja Vetëvendosje i ka gati emrat e propozimeve për presidentin e ardhshëm të shtetit...

Lëvizja Vetëvendosje i ka gati emrat e propozimeve për presidentin e ardhshëm të shtetit, dhe nga kjo parti janë në pritje të koordinimit me LDK-në për takimin e ardhëm mes kreut të Vetëvendosjes, Albin Kurti, dhe atij të LDK-së, Lumir Abdixhiku. Glauk Konjufca nga Vetëvendosje thotë se pritet që takimi të ndodhë brenda javës, ndërsa do të diskutohet për emrat konkretë të kandidatëve për president.
 
“Kryeministri Kurti është gati. Emrat i kemi, por nuk mund t’i ndaj këtu me juve. Më vjen keq, sepse, pastaj kjo do ta humbte kuptimin procesi i negocimit. Edhe LDK-ja besoj që së shpejti do të jetë gati, sepse javën e kaluar kryetari Abdixhiku tha që kjo javë do të jetë java në të cilën ata do të takohen. Me sa kam marrë vesh unë, në Vetëvendosje kryeministri Kurti ende nuk ka një ftesë nga apo një diskutim se cila do të jetë dita e kësaj jave. Po kështu e ka përdorur gjuhën kryetari Abdixhiku, ka thënë: “këtë javë”. Prandaj, ne jemi në pritje e sipër që kjo të ndodhë. Dhe kur kjo të ndodhë, atëherë unë mendoj që do të jetë shumë afër marrëveshja për presidentin e Republikës së Kosovës.”, - deklaroi Glauk Konjufca nga LVV.
 
Ndërkohë grupet parlamentare të të dy partive opozitare, PDK-së dhe Aleancës, kanë vazhduar aksionin e bllokimit të hyrjes së objektit të Qeverisë së Kosovës, në shenjë proteste ndaj mosvazhdimit të seancës konstituive të Kuvendit. Po ashtu Aleanca ka dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë Speciale, lidhur me vendimet e marra më 12 gusht, të cilat, sipas kësaj partie, janë në kundërshtim me ligjin për Qeverinë. Po ashtu në kallëzimin penal është theksuar edhe çështja e ushtrimit të funksioneve në ekzekutiv, përfshi kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, të cilët janë betuar në Kuvend si deputetë.
 
GYLTENE SINANI