Maqedoni
Iniciativat e BE-së për reforma në zgjerim, Sali: I shoh pozitivisht, punojmë në agjendën reformuese
26.08.2026 14:57
Deklarata e Kos për adaptimin e zgjerimit të BE-së në raport me ndryshimet gjeopolitike, komentohet nga ministri i Resorit...

Deklarata e eurokomesares për Zgjerim, Marta Kos, për adaptimin e zgjerimit të BE-së në raport me ndryshimet gjeopolitike, komentohet nga ministri i Resorit, Bekim Sali. Sipas tij, kriteret për anëtarësim ende nuk janë definuar, por vendit tonë i mbetet që të punojë në agjendën reformuese, duke shtuar se mesazhet e zyrtarëve evropianë i sheh me pozitivitet.
“Ne për momentin punojmë në zgjerimin e agjendës reformuese, që do të thotë se kemi mesazh pozitiv nga Komisioni Evropian se RMV-ja e ndjek rrugën dhe dinamikën e asaj që është nënshkruar drejt eurointegrimit. Me porositë, diplomatët na tregojnë se duhet të punojmë me më shumë dinamikë në plotësimin e këtyre hapave. Institucionet tona janë të informuara me kohë dhe të iniciuar që zgjerimi i agjendës reformuese të jetë në tërësi sipas të gjitha mundësive, institucionet tona të adaptohen në nevojat dhe porositë që jepen nga ana e diplomatëve dhe institucionet e BE-së. Këtë e shoh pozitivisht. Komunikimin me Komisionin Evropian e kemi në nivel të shkëlqyeshëm dhe ne si institucione mundohemi që të përgjigjemi me kohë.”, - deklaroi ministri i Eurointegrimeve, Bekim Sali.
LSDM - Mickoskit: Partneriteti me ShBA-në dhe eurointegrimi janë sinergji
Ndërkohë LSDM-ja komenton deklaratën e para dy dite të kryeministrit Mickoski për Brajtbart Njus, i cili ka paraqitur zhgënjim nga BE-ja në raport me atë çfarë ka bërë vendi ynë në këto aspirata. Në këtë intervistë, Mickoski shprehet përkrahës i madh i politikave të presidentit amerikan Trump. Ndërkaq, për socialdemokratët anëtarësimi në BE dhe partneriteti strategjik me Amerikën nuk janë të kushtëzuara. Të dyja krijojnë sinergji në interes të Maqedonisë, rajonit dhe sigurisë më të gjerë evropiane.
“Maqedonia e ka vendin në BE, me partneritet strategjik me ShBA-në dhe kështu duhet të mbetet. Të gjithë e kanë të qartë se frika nga prokuroria evropiane e pavarur tek Mickoski është e madhe sa Amerika.”, thuhet në deklaratën e LSDM-së.
Sipas opozitës maqedonase, Mickoski me deklaratat e tij duket se po ia kthen shpinën Bashkimit Evropian.
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU
