Maqedoni

QMK: 5 zjarre aktive, vazhdon ndërhyrja në terren

26.08.2026 15:24

Pesë vatra aktive, tre nën kontroll dhe gjashtë zjarre tërësisht të shuara...

Pesë vatra aktive, tre nën kontroll dhe gjashtë zjarre tërësisht të shuara, ky është bilanci i zjarreve në hapësira të hapura të regjistruara në vend, sipas të dhënave të Qendrës për Menaxhim me Kriza. Flakët vijojnë të jenë aktive në disa zona. Në komunat Studeniçan dhe Zelenikovë, zjarri ka përfshirë pyje të përziera në zonën e fshatrave Moranë, Vërtekicë, Gaber, me drejtim nga Paligradi, si dhe mbi fshatin Vrazhallë.
 
Situatë aktive paraqitet edhe në zonën ndërmjet Gostivarit dhe Makedonski Brodit, nga fshati Tërnovë drejt Bitovës, Zagradit dhe Strajanes, ku po digjen pyje të ulëta, kullota dhe fier. Në Rosoman, pranë fshatit Manastirec, janë përfshirë nga zjarri vreshta dhe plantacione frutore.
 
Zjarre aktive janë raportuar gjithashtu në fshatin Tisovicë të Zelenikovës, ku po digjen pyje të përziera dhe vegjetacion i ulët, si dhe mbi fshatin Nezhilovë në komunën e Çashkës, ku flakët kanë përfshirë vegjetacion të ulët dhe dëllinja. Nën kontroll janë vendosur zjarri pranë fshatit Tajmishte në komunën e Kërçovës, në një zonë me pyje ahu të larta, si dhe zjarret në deponitë e qytetit në Kavadar, në lokacionin “Melci”, dhe në Dellçevë.
 
Ndërkohë, ekipet në terren kanë arritur të shuajnë plotësisht gjashtë zjarre, në territorin e komunave Zhelinë, Tearcë, Makedonski Brod, Kërçovë, Dellçevë dhe Gradsko. Sipas QMK-së, gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin janë regjistruar gjithsej 31 zjarre në hapësira të hapura. Prej tyre, 24 janë shuar plotësisht, ndërsa pjesa tjetër është vënë nën kontroll ose vijon të jetë aktive.
 
Një nga zjarret më të mëdha, ai pranë Çiçevës së Poshtme dhe të Epërme, është shuar pas më shumë se 13 orësh ndërhyrje. Në operacionin e shuarjes morën pjesë zjarrfikës, ekipe të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, vullnetarë, tre avionë “Air Tractor” dhe një helikopter i Ministrisë së Punëve të Brendshme. Zjarri nuk ka arritur te shtëpitë e banimit, ndërsa janë mbrojtur edhe pemishtet dhe vreshtat përreth.
 
ABIBE QAILI