Maqedoni

ITKSh dhe Universiteti “Nënë Tereza” shënojnë 116-vjetorin e lindjes së Nënë Terezës

26.08.2026 15:33

U shënua 116-vjetori i lindjes dhe 10-vjetori i shenjtërimit të Nënë Terezës nga ITKSh-ja dhe Universiteti “Nënë Tereza”....

Me moton “Kujtojmë Gonxhen tonë dhe Terezën e mbarë botës” u shënua 116-vjetori i lindjes dhe 10-vjetori i shenjtërimit të Nënë Terezës nga ITKSh-ja dhe Universiteti “Nënë Tereza”. Të pranishmit ngritën lart figurën e Nënë Terezës si  një prej figurave më të njohura shqiptare në botë dhe si simbol i humanizmit, dashurisë ndaj të varfërve, të sëmurëve dhe njerëzve të braktisur.
 
“Shpresojmë që nga dyert e këtij  Universiteti që studiojnë këtu dhe që diplomojnë, gjatë gjithë jetës së tyre do ta kenë motiv t’i ndihmojnë njerëzit në nevojë, t’i shërbejnë qytetarët kudo që janë, ashtu si edhe kolegët e Institutit me prodhimin e tyre shkencor.”, - deklaroi drejtori i ITKSh-së, Besnik Emini.
 
“Ne nuk duhet të fokusohemi në punë të mëdha, por duhet gjithë ato punë të vogla që i bëjmë t’i bëjmë me zemër dhe dashuri të madhe. Kjo është prej thënieve që edhe ne në Universitet mundohemi që çdokush të japë kontributin e vet në mësimdhënie me studentë dhe t’i ngremë gjërat në frymën e humanizmit.”, - theksoi rektori në UNT, Bekim Fetaji.
 
“Shën Nëna Terezë e zgjoi ndërgjegjen e fjetur të popullit dhe të botës dhe dëshmoi që me përkushtim dhe me dashuri mund të lëvizin jo vetëm kodrat, por edhe njerëzit, ndërgjegjja dhe shpirti i çdo qenie njerëzore.”, - theksoi At dhe biografi i Nënë Terezës, Don Lush Gjergji. 
 
“Nënë Tereza kishte arritur diçka që pak njerëz e arrijnë. Jo gjithmonë dhe çdokush mund të bëjë vepra të mëdha, por të gjithë ne mund të bëjmë gjëra të vogla me dashuri të madhe. Nënë Tereza e ktheu dashurinë në vepër.”, - u shpreh Teuta Agai Demjaha nga ITKSh.
 
Edhe zëvendëskryeministri Bekim Sali, me këtë rast përkujtoi  veprën dhe misionin e shenjtë të Nënë Terezës.
 
“Për ne është krenari si shkupjane, si shqiptare dhe ne e kemi obligim ta përkujtojmë veprën dhe misionin e saj të cilin ia shpërndau gjithë botës.”, - u shpreh zëvendëskryeministri, Bekim Sali.
 
Nënë Tereza, e lindur më 26 gusht 1910 në Shkup, me emrin Anjezë Gonxhe Bojaxhiu, personaliteti që me jetën dhe veprën e saj la gjurmë të thella jo vetëm në historinë e qytetit të lindjes, por edhe në historinë botërore. Në vitin 1950 themeloi Misionaret e Bamirësisë në Kalkutë, duke krijuar një rrjet institucionesh humanitare që u shtri në shumë vende të botës. Për veprën e saj, ajo u nderua me Çmimin Nobel për Paqe në vitin 1979. Nënë Tereza ndërroi jetë më 5 shtator 1997, ndërsa në vitin 2016 u shpall shenjtore nga Kisha Katolike.
 
VLORA LATIFI TOPOJANI