Maqedoni

Kumanovë, rasti i parë i virusit të Nilit Perëndimor

26.08.2026 15:42

Rasti i parë i infektimit me virusin e Nilit Perëndimor është konfirmuar në zonën e Kumanovës....

Rasti i parë i infektimit me virusin e Nilit Perëndimor është konfirmuar në zonën e Kumanovës. Bëhet fjalë për një 65-vjeçar nga Kumanova, i cili është shtruar në Klinikën për Sëmundje Infektive në Shkup. Sipas autoriteteve shëndetësore, gjendja e tij është aktualisht stabile dhe pacienti ndodhet nën mbikëqyrje të vazhdueshme mjekësore. Drejtori i Qendrës për Shëndet Publik në Kumanovë, Herolind Sakipi, konfirmoi rastin dhe bëri të ditur se pacienti po merr trajtimin e nevojshëm.
 
"Bëhet fjalë për një pacient të gjinisë mashkullore, 65 vjeç, i cili aktualisht është i hospitalizuar dhe ndodhet nën mbikëqyrje dhe trajtim mjekësor në Klinikën për Sëmundje Infektive dhe Gjendje Febrile në Shkup. Te pacienti, përveç infeksionit me virusin e Nilit Perëndimor, janë të pranishme edhe sëmundje kronike, përfshirë diabetin, të cilat mund të ndikojnë në ecurinë dhe rëndesën e sëmundjes. Dëshiroj të theksoj se Qendra e Shëndetit Publik Kumanovë, në përputhje me kompetencat e saj dhe protokollet epidemiologjike, menjëherë ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme.", - theksoi drejtori i QShP-Kumanovë, Herolind Sakipi. 
 
Ndërkohë, Komuna e Kumanovës njoftoi se masat për parandalimin dhe kontrollin e mushkonjave në territorin e komunës kanë nisur që në maj të vitit 2026.
 
Virusi i Nilit Perëndimor transmetohet te njerëzit kryesisht përmes pickimit të mushkonjave të infektuara, ndaj autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të respektojnë masat mbrojtëse dhe të shmangin ekspozimin ndaj mushkonjave, veçanërisht gjatë periudhave të aktivitetit të tyre më të lartë.
 
FATLUM AQIFI