Maqedoni
Raporti i Antikorrupsionit në Kuvend, kritika dhe përplasje për punën e Antikorrupsionit
26.08.2026 15:53
Kuvendi shqyrtoi raportin vjetor për punën e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit për vitin 2025...

Kuvendi shqyrtoi raportin vjetor për punën e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit për vitin 2025, por prezantimi i raportit u shoqërua me kritika të ashpra. Deputetja Sonja Mirakovski nga PRSD tha se raporti nuk jep një pasqyrë të qartë për gjendjen në vend dhe kritikoi Komisionin për mungesë të dukshmërisë dhe transparencës. Raporti është vetëm statistikë dhe nuk tregon asgjë për atë që po ndodh në shtet. Ajo kërkoi nga Komisioni që të jenë më të guximshëm, më të qartë dhe më vizionarë. Sipas saj, Komisioni duhet të raportojë edhe sa nga rekomandimet e tij janë zbatuar dhe sa raste kanë përfunduar me procedura konkrete.
“Ne ju formuam si organ që të jeni ndërgjegjja e këtij shteti, që njerëzit t’ju njohin. Ju duhet të jepni rekomandime, por këtu nuk na jepni asnjë raport se çfarë ndodh më pas me rekomandimet tuaja. Sa prej tyre janë proceduar, a i pranon dikush, a keni artikuluar publikisht ndonjë problem? Nuk jeni vetëm ju problemi, problem jemi edhe ne në Kuvend.”, - deklaroi deputetja e PRSD-së, Sonja Mirakovski.
Kryetari i Komisionit Antikorrupsion, Adem Çuçul, nuk u pajtua me vlerësimin se institucioni është i padukshëm. Në debat u përmendën edhe tetë iniciativa për ndjekje penale të dorëzuara në Prokurori, për të cilat, u tha se deri tani nuk ka pasur veprime konkrete.
“Nuk pajtohem me ju në pjesën e padukshmërisë. Për këtë vit, shifrat, duke qenë se jemi në muajin e tetë, do t’i paraqesim në raportin e ardhshëm. Kemi një numër të madh denoncimesh, që do të thotë se qytetarët e shohin se ekzistojmë, një numër të madh lëndësh të zgjidhura, një numër të madh të urdhëresave të shqiptuar dhe iniciativa të dorëzuara te Prokuroria Publike kompetente. Nuk është roli i këtij organi që çdo ditë të dalë në televizion dhe të bëjë thirrje. Asnjë organ nuk vepron në këtë mënyrë.”, - theksoi kryetari i KShPK-së, Adem Çuçul.
Kryetari i Komisionit dhe deputeti i VMRO-DPMNE-së, Lupço Prenxhov, tha se anëtarët aktualë janë zgjedhur gjatë qeverisjes së LSDM-së dhe BDI-së.
“Për momentin, në të gjitha raportet e mundshme të KShPK-së, nga Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë nuk ka asnjë deputet, nga BDI-ja nuk ka asnjë deputet dhe nga E Majta nuk ka asnjë deputet. Kjo flet për opozitën, sa e konsideron dhe nëse konsideron se ka dukuri devijuese.”, - u shpreh Lupço Prenxhov nga VMRO-DPMNE.
Sa i përket zgjedhjeve të fundit lokale, Komisioni ka hapur 43 lëndë për parregullsi të mundshme zgjedhore, përfshirë përdorimin e mjeteve buxhetore, hapësirave shtetërore dhe automjeteve zyrtare. Nga këto raste, një iniciativë është dorëzuar në Prokurorinë Publike për dyshime për elemente të veprës penale. Komisioni gjithashtu ka konstatuar dobësi në legjislacionin zgjedhor dhe i ka dorëzuar ato te grupi punues për ndryshimin e Kodit Zgjedhor.
FLORIJE KAMBERI
