Maqedoni

Rasti "Talir 2", Apeli konfirmon aktgjykim lirues për Gruevskin

26.08.2026 16:04

Gjykata e Apelit në Shkup ka konfirmuar aktgjykimin lirues për ish-kryeministrin Nikolla Gruevski...

Gjykata e Apelit në Shkup ka konfirmuar aktgjykimin lirues të Gjykatës Themelore Penale në Shkup për ish-kryeministrin Nikolla Gruevski në rastin “Talir 2”, i cili ka të bëjë me financimin dhe ndërtimin e selisë së VMRO-DPMNE-së. Gjykata ka vlerësuar se veprimet e ndërmarra nga Gruevski, si person përgjegjës në subjektin juridik, kanë qenë brenda kompetencave të tij dhe se Prokuroria nuk ka dëshmuar se ai ka vepruar në kundërshtim me Ligjin për financimin e partive politike. Sipas Apelit, gjatë procedurës Prokuroria nuk ka dëshmuar përtej dyshimit të arsyeshëm se ndërmarrja ndërtimore “Betoni”, në momentin e lidhjes së marrëveshjeve me partinë politike, kishte statusin e subjektit që ofronte shërbime publike, në kuptim të ligjit. 
 
"Gjatë procedurës, Prokuroria Themelore Publike në Shkup, si palë e autorizuar për ndjekje, nuk ka dëshmuar përtej çdo dyshimi të arsyeshëm se Ndërmarrja “Betoni” kishte statusin e subjektit, i cili, në momentin e lidhjes së marrëveshjeve me partinë politike, ofronte shërbime publike në kuptim të ligjit të lartpërmendur. Prandaj, nuk ka ekzistuar ndalesë ligjore për dhurimin e mjeteve nga ana e tij për partinë politike, dhe as nuk ka ekzistuar detyrim për të akuzuarin, si person përgjegjës i partisë politike, që t’i kthente ato mjete.”, thuhet në njoftimin e Gjykatës së Apelit.
 
Vendimi i Apelit është i formës së prerë dhe i ekzekutueshëm. Ai vjen vetëm pesë ditë para 31 gushtit, kur parashihet të skadojë afati absolut i parashkrimit për veprën penale për të cilën akuzohej Gruevski. Rasti “Talir 2” fillimisht u hap nga ish-Prokuroria Speciale Publike, ndërsa pas shuarjes së saj u mor përsipër nga Prokuroria Themelore Publike në Shkup. Çështja u gjykua në dy raste. Në vitin 2022, Gruevski u dënua me gjashtë vjet burgim dhe u vendos konfiskimi i pronës së partisë. Lëndën e kishte udhëhequr prokurorja Lençe Ristoska, e cila më vonë pasi iu mor lënda, dha dorëheqje nga detyra e prokurorit publik. 
 
FLORIJE KAMBERI