Maqedoni
Muzeu i Arteve Bashkëkohore në Shkup, promovohet libri mbi misionin e Nënë Terezës
26.08.2026 16:16
Në Muzeun e Arteve Bashkëkohore në Shkup u shënua 116-vjetori i lindjes dhe 10-vjetori i shenjtërimit të Nënë Terezës...

Në Muzeun e Arteve Bashkëkohore në Shkup u shënua 116-vjetori i lindjes dhe 10-vjetori i shenjtërimit të Nënë Terezës, në kuadër të manifestimit “Nënë Tereza – një jetë në shërbim të njerëzimit”. Në këtë aktivitet morën pjesë përfaqësues të lartë politikë nga Maqedonia e Veriut dhe Kosova, ndërsa u promovua edhe libri “Udha misionare e Gonxhe Bojaxhiut drejt Nënë Terezës universale”, me autorë Albert Ramaj dhe Skender Asani.
Në fjalimet e rastit u theksua mesazhi i saj universal i dashurisë, humanizmit, solidaritetit dhe përkujdesjes ndaj njerëzve në nevojë.
Po ashtu, u hap një ekspozitë dokumentare me 26 fotografi kushtuar jetës dhe veprës së Nënë Terezës. Trashëgimia e Nënë Terezës u vlerësua si një krenari për Shkupin dhe rajonin, por mbi të gjitha si një mesazh që i përket mbarë njerëzimit.
FARIJE DAUTI BAKIU
