Maqedoni
Në tre ditët e fundit 1.621 kundërvajtje në komunikacion
27.08.2026 11:41
Gjatë tre ditëve të fundit janë lëshuar gjithsej 1.621 urdhërpagesa...

Gjatë tre ditëve të fundit (24, 25 dhe 26 gusht 2026), si rezultat i kontrolleve të rregullta në komunikacion të realizuara nga zyrtarët policorë të të gjithë sektorëve të punëve të brendshme në rrugët e vendit, janë lëshuar gjithsej 1.621 urdhërpagesa, njoftoi Ministria e Punëve të Brendshme (MPB).
Nga numri i përgjithshëm, 456 kundërvajtje kanë të bëjnë me drejtuesit e automjeteve që nuk e kanë respektuar shpejtësinë e përcaktuar të lëvizjes.
Për drejtim të pamatur të automjetit janë privuar nga liria 43 persona, prej të cilëve dy për drejtim të automjetit nën ndikimin e alkoolit, 20 për drejtim të automjetit pa patentë shoferi dhe dy për shkak të ndalesës së mëparshme për drejtim të automjetit.
Gjatë së njëjtës periudhë janë konfiskuar 19 automjete në bazë të nenit 300-b të Kodit Penal.
Sipas pasqyrës statistikore të aktiviteteve policore, gjatë tre ditëve të fundit janë evidentuar edhe 385 kundërvajtje për parkim të parregullt, si dhe 28 sanksione për drejtim të automjetit nën ndikimin e alkoolit.
Në bazë të Ligjit për sigurinë në komunikacionin rrugor, janë sanksionuar 159 drejtues të motoçikletave për mosmbajtje të helmetës mbrojtëse. Gjithashtu, janë sanksionuar 105 pjesëmarrës në komunikacion që nuk kanë përdorur rripin e sigurisë.
Në përputhje me Ligjin për automjetet, 17 automjete janë larguar nga komunikacioni për shkak se kanë qenë të paregjistruara, ndërsa shtatë për shkak të parregullsive teknike. Janë sanksionuar edhe katër drejtues automjetesh për mosrespektimin e kushteve të përcaktuara lidhur me errësimin e xhamave të automjeteve (foliet).
Kontrollet në komunikacion do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim. MPB-ja apelon tek të gjithë pjesëmarrësit në komunikacion që t’i respektojnë rregullat dhe dispozitat e komunikacionit.
