Botë
Nepal dhe Tibet, kërkohen mbi 1.300 të zhdukur, Ekspertët: Rrezik për një valë të dytë përmbytjesh
27.08.2026 13:18
Vazhdojnë kërkimet në Nepal dhe në Tibet, rajon autonom i Kinës, pas përmbytjeve dhe rrëshqitjeve masive të dheut përgjatë kufirit mes dy vendeve...

Vazhdojnë kërkimet në Nepal dhe në Tibet, rajon autonom i Kinës, pas përmbytjeve dhe rrëshqitjeve masive të dheut përgjatë kufirit mes dy vendeve. Në Nepal, 823 persona rezultojnë të zhdukur, ndërsa në Tibet janë raportuar 558 të zhdukur, përfshirë 260 shtetas të huaj. Në të dyja anët e kufirit janë konfirmuar gjithsej 180 viktima, ndërsa autoritetet paralajmërojnë se numri mund të rritet. Fshatra të tëra janë përfshirë nga uji dhe balta, ndërsa shtëpitë dhe automjetet janë marrë nga rrjedha e fuqishme e ujit. Në spitalin “Bir” në Katmandu, familjarët e personave të zhdukur presin me ankth për informacion mbi të afërmit e tyre.
“Djali i motrës sime, Yubraj Sewak, ishte nisur drejt Rasuvas dhe kishte qenë në kontakt me motrën time deri rreth orës 08:00 të mëngjesit të djeshëm. Që nga përmbytja nuk kemi dëgjuar më prej tij. Emri i tij nuk figuron në asnjërën prej listave që kemi parë dhe edhe një anëtar tjetër i familjes sonë është i zhdukur.”, - theksoi familjari i Yubraj Sewak, Chitra Bahadur Nepali.
“Vëllai ynë i madh është zhdukur. Emri i tij është Ram Sharan Rasaili. Ai është në mesin e të zhdukurve nga Rasuwa. Prandaj kemi dalë për ta kërkuar.”, - u shpreh familjari i Ram Sharan Rasaili, Subash Khatani.
Mes personave të zhdukur ka edhe shtetas të huaj. Vendet e tyre po kërkojnë informacion për qytetarët e tyre të prekur nga katastrofa.
“Do të them vetëm se të paktën 34 australianë janë në mesin e të zhdukurve. Kuptojmë se këta australianë ishin pjesë e grupeve të veçanta të pelegrinazhit dhe turistëve. Nuk jam në gjendje të jap detaje të tjera për ta në këtë fazë. Prioriteti i Qeverisë është të konfirmojë vendndodhjen dhe gjendjen e tyre. Zyrtarët e Ministrisë së Jashtme janë në Nepal dhe Kinë për ta bërë këtë. Natyrisht, situata është e vështirë.”, - deklaroi ministrja e Jashtme e Australisë, Penny Wong.
“Gati 100 shtetas kinezë janë të zhdukur në zonat e prekura nga katastrofa në anën nepaleze. Ambasada kineze në Nepal aktualisht po kërkon verifikime të mëtejshme nga autoritetet nepaleze.”, - theksoi zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Kinës, Lin Jian.
Sipas Shërbimit Gjeologjik të ShBA-së, katastrofa dyshohet të jetë shkaktuar nga shembja e një akullnaje, e cila solli një rrjedhë masive uji, balte dhe mbetjesh. Ekspertët paralajmërojnë për rrezikun e një vale të dytë përmbytjesh, pasi mbetjet kanë bllokuar rrjedhën e ujit në zonën kufitare. Autoritetet u kanë bërë thirrje banorëve në zonat e rrezikuara të largohen, ndërsa operacionet e shpëtimit vijojnë.
FARIJE DAUTI BAKIU
