Rajon
DioGuardi dhe Voker me propozim, Faton Bislimi të zgjidhet president i Kosovës
27.08.2026 14:07
DioGuardi i ka ftuar katër liderët e partive më të mëdha për konsensus rreth zgjedhjes së presidentit të ardhshëm...

Ish-kongresmeni amerikan Jozef DioGuardi, në një letër drejtuar liderëve të katër partive më të mëdha, Vetëvendosjes, PDK-së, LDKsë dhe Aleancës, i ka ftuar ata për konsensus rreth zgjedhjes së presidentit të ardhshëm, pasi sipas tij, Kosova nuk mund të përballojë një tjetër cikël të bllokadave institucionale dhe zgjedhjeve të përsëritura. Ai njëherësh propozon Faton Bislimin për president të Kosovës. Propozimi i Dioguardit vjen pasi Bislimi ishte propozuar për president edhe nga ish-shefi i Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë, William Woker. Edhe ky i fundit u është drejtuar me një letër liderëve të partive politike të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës, duke propozuar Faton Bislimin si kandidat për president të Kosovës.
Nuk dihet nëse emri i Bislimit është pjesë e emrave që krerët e Vetëvendosjes dhe LDK-së, Albin Kurti dhe Lumir Abdixhiku, thanë se i kanë diskutuar në takimin e një dite më parë. Ata vetëm kanë bërë të ditur se kanë diskutuar rreth emrave të mundshëm për president pa dhënë i publikuar emrat. Pasi t’i kenë kontaktuar kandidatët e mundshëm dhe pas konsultimeve brenda partive, Kurti dhe Abdixhiku thanë se do të takohen sërish. Ndërkohë PDK-ja opozitare dorëzon në Prokurorinë Speciale kallëzim penal ndaj deputetit Avni Dehari, në cilësinë e drejtuesit të seancës konstituive të Kuvendit nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
“Avni Dehari, si kryesues i kësaj seance, duhet ta mbledhë Kuvendin çdo 48 orë që të vazhdonte seancën konstituive. Përkundër se ne kemi dërguar disa letra, nuk ka reflektuar dhe nuk e ka thirrur seancën, vazhdimin e seancës konstituive. Prandaj, ne do të paraqesim kallëzim penal për shpërdorim të detyrës zyrtare në përputhje me nenin 414 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.”, - theksoi deputeti i PDK-së, Përparim Gruda.
Po ashtu PDK-ja dhe Aleanca kanë vazhduar me protestën para Qeverisë, duke theksuar se deputetët e betuar, përfshi Albin Kurtin, nuk mund të ushtrojnë edhe funksione në ekzekutiv. Ata njëherësh kërkojnë vazhdimin e seancës konstituive të Kuvendit.
GYLTENE SINANI
