Ulja e çmimeve për materialet shkollore, Durmishi: Inspektorët do të jenë në terren
27.08.2026 15:30
Vendimi i Qeverisë për uljen e çmimit të pajisjeve shkollore ka filluar të zbatohet dhe do të jetë në fuqi deri më 30 shtator....

Vendimi i Qeverisë për uljen e çmimit të pajisjeve shkollore për 10% në tregun me shumicë dhe 15% në tregun me pakicë ka filluar të zbatohet dhe do të jetë në fuqi deri më 30 shtator. Inspektorët e tregut do të jenë në terren për të kontrolluar zbatimin e vendimit, thotë ministri i Ekonomisë, Besar Durmishi.
“Së bashku me Inspektoratin Shtetëror të Tregut do të dalim në terren dhe do t’i kontrollojmë të gjitha libraritë dhe të gjitha marketet ku shiten produktet e këtij lloji. Atje ku do të shohim se nuk respektohet masa apo keqpërdoret, në përputhje me ligjin do të veprojë Inspektorati Shtetëror i Tregut. Rastet e tilla mund të paraqiten në e-mail adresën e Inspektoratit të Tregut dhe ata do të veprojnë. Sipas atij vendimi, të gjitha libraritë duhet t’i përshtatin çmimet 10% më të ulëta për tregtinë me shumicë dhe 15% në tregtinë me pakicë.”, - deklaroi ministri i Ekonomisë, Besar Durmishi.
Durmishi: Rritja e çmimeve vetëm me arsyeshmëri ekonomike
Durmishi njëherësh thekson se inflacioni muajin e kaluar ka qenë 1.1%, që dëshmon stabilizimin e çmimeve, sidomos në pjesën e ushqimeve bazë, i cili ndikon drejtpërdrejt ndaj buxhetit familjar. Sipas tij, prej dy muajsh çmimet kanë shënuar ulje, përveç transportit dhe naftës që është paralajmëruar se do të ketë rritje. Por, Durmishi thotë se megjithatë çmimet e naftës në vend janë më të ulëtat në rajon. Ai thotë se gjendja po monitorohet dhe nëse vërehet rritje e çmimeve nga tregtarët pa arsyeshmëri ekonomike, Qeveria do të marrë masa.
“Kontrollet e fundit që janë bërë nga Inspektorati Shtetëror i Tregut na rezulton se kemi produkte të caktuara që kanë marzhën e fitimit në 10%, në 15%, në 7% në 8%, që nënkupton se nuk kemi ngritje të marzhës dhe nuk është e keqpërdorur nga tregtarët.”, - theksoi ministri i Ekonomisë, Besar Durmishi.
Kontrollet e inspektorëve të tregut do të vazhdojnë në terren edhe në periudhën e ardhshme, paralajmëron ministri Durmishi.
VLORA LATIFI TOPOJANI
