Maqedoni

CIA në Moskë, Lituania e shqetësuar, Moska mohon sulmin ndaj një shteti të NATO-s

27.08.2026 15:37

Vizita e drejtorit të CIA-s në Moskë ka rritur shqetësimet në Lituani...

Vizita e drejtorit të CIA-s, Xhon Rëtklif, në Moskë, ka rritur shqetësimet në Lituani, pasi vendi baltik druhet se mund të jetë një nga objektivat e radhës të Rusisë, nëse Moska do të ndërmarrë sulme ndaj një vendi të NATO-s. Raportimet se takimi mund të ketë pasur si qëllim paralajmërimin e Rusisë, kanë nxitur reagime në Vilnius. Zyrtarët lituanezë thonë se një vizitë e tillë nuk ndodh pa arsye dhe mund të lidhet me një kërcënim më serioz dhe afatgjatë nga Rusia.
 
“Ende nuk kemi informacion të qartë dhe të saktë për atë që u diskutua gjatë vizitës, por padyshim që ka njëfarë të vërtete në të gjitha këto spekulime. Mendoj se, para së gjithash, është një shenjë e mirë që kreu i një agjencie të tillë udhëtoi në Moskë dhe, pa dyshim, kjo ishte një lloj paralajmërimi.”, - deklaroi kryetari i Komisionit për Punët e Jashtme, Remigijus Motuzas.
 
“Vizita të tilla nuk ndodhin pa arsye; pas tyre qëndrojnë çështje dhe pyetje serioze. Mund të kenë diskutuar për një skenar afatgjatë – jo për diçka që do të ndodhë tani, por gjatë viteve të ardhshme – për mundësinë e një kërcënimi konvencional nga Rusia.”, - theksoi ish-ministri i Mbrojtjes, Laurynas Kasciunas.
 
Nga Moska, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, i hodhi poshtë raportimet për një sulm të mundshëm rus ndaj një vendi të NATO-s, duke i cilësuar ato si histori alarmuese.
 
“Shumë histori të tilla alarmuese po publikohen tani. Natyrisht, ato nuk kanë asnjë lidhje me realitetin dhe as me synimet e Federatës Ruse.”, - u shpreh zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov. 
 
Ndërkohë, kreu i shërbimit të inteligjencës së jashtme ruse, SVR, konfirmoi se më 25 gusht zhvilloi një “takim pune” me Rëtklif. Sipas tij, u diskutuan çështje të ndjeshme që lidhen me punën e dy shërbimeve të inteligjencës. Presidenti i Lituanisë, Gitanas Nauseda, tha se vendi i tij pritet të informohet nga pala amerikane për përmbajtjen e vizitës, por me gjasë jo deri javën e ardhshme.
 
FARIJE DAUTI BAKIU