Botë

Sulm kibernetik ndaj 3 aeroporteve britanike! Ekspozohen të dhënat e 8.7 milionë pasagjerëve

27.08.2026 17:19

Një sulm kibernetik ka prekur tre aeroporte të rëndësishme në Britani...

Një sulm kibernetik ka prekur tre aeroporte të rëndësishme në Britani, duke ekspozuar të dhënat personale të rreth 8.7 milionë pasagjerëve.
 
Sulmi ka prekur aeroportin e Mançesterit, Londër Stansted dhe East Midlands, të tre të menaxhuar nga Manchester Airports Group (MAG).
 
Sipas kompanisë, hakerët kanë arritur të kenë akses në të dhëna personale të klientëve, përfshirë adresat e emailit, numrat e telefonit, numrat e regjistrimit të automjeteve dhe kodet postare.
 
Të dhënat lidhen me shërbime të ndryshme të aeroporteve, si parkimi, rezervimet në sallat e pritjes, shërbimet “Fast Track” dhe abonimet Wi-Fi.
 
Megjithatë, sistemi i komprometuar nuk përmbante të dhëna bankare apo informacione mbi pagesat e klientëve.
 
Aeroporti i Stansted u ka kërkuar pasagjerëve të tregohen të kujdesshëm ndaj çdo komunikimi të papritur që mund të pretendojë se vjen nga aeroporti, veçanërisht email-eve, telefonatave apo mesazheve.
 
“Ju nxisim të jeni veçanërisht vigjilentë në rast të emaileve, telefonatave ose mesazheve të papritura që pretendojnë se vijnë nga ne”, thuhet në njoftimin drejtuar klientëve.
 
Aeroporti ka sqaruar gjithashtu se nuk do t’u kërkojë klientëve në mënyrë të papritur informacione mbi pagesat apo të dhënat bankare.
 
Ndërkohë, Manchester Airports Group ka nisur masat për trajtimin e incidentit dhe po punon me ekspertë të sigurisë kibernetike për mbrojtjen e sistemeve dhe klientëve.
 
Kompania ka njoftuar autoritetet përkatëse dhe po bashkëpunon me to gjatë hetimit të incidentit.
 
Pavarësisht sulmit, siguria e pasagjerëve dhe ajo e aviacionit nuk janë komprometuar. Sulmi nuk ka shkaktuar ndërprerje në operacionet e aeroporteve, ndërsa fluturimet, shërbimet aeroportuale dhe parkimi vijojnë normalisht.
 
Rreziku kryesor për pasagjerët lidhet me përdorimin e të dhënave të ekspozuara për tentativa mashtrimi apo komunikime të rreme që mund të paraqiten si të dërguara nga aeroportet.