Maqedoni
Mickoski: Nuk ka kritere të reja për anëtarësimin në BE
27.08.2026 18:15
Deri në këto momente nuk ka kritere të reja për vendet anëtare për anëtarësim në BE...

Deri në këto momente nuk ka kritere të reja për vendet anëtare për anëtarësim në BE, deklarata e Komisioneres Marta Kos, është dhënë në një kontekst tjetër dhe nuk ka të bëj për Maqedoninë, potencoi Kryeministri Mickoski. Ky i fundit po ashtu theksoi se RMV ka të harmonizuar politikat e jashtme dhe të sigurisë me Brukselin zyrtarë, dhe se vendi fuqishëm është duke punuar në agjendën reformuese, dhe në raportin e progresit të dalë edhe më mirë sesa vlerësimi i herës së kaluar.
“Ne kemi plotësisht të harmonizuar politikat e jashtme dhe të sigurisë me Bashkimin Evropian, kemi besim të pa lëkundur tek Bashkimi Evropian, jemi duke punuar në agjendën reformuese. Në raportin e progresit në muajin dhjetor ishim shumë mirë të vlerësuar, pres që në raportin e muajit qershor të jemi edhe më mirë, dhe do të duhet të punësojmë në këtë drejtim. Ajo që është obligim i yni, jashtë marrëdhënieve bilaterale ne do ta plotësojmë.”, u shpreh kryeministri Hristijan Mickovski.
Ndërsa opozita maqedonase ka dalë me konstatime se Mickoski po ia kthen shpinën BE-së, po e largon vendin nga anëtarësimi i plotë në BE, dhe po e bllokon rrugën evropiane. Sipas opozitës maqedonase anëtarësimi në BE dhe partneriteti strategjik me SHBA-në nuk duhet të kushtëzohen në mes tyre, përkundrazi duhet të plotësohen mes tyre, dhe krijojnë një sinergji në interes të vendit dhe të rajonit.
Nga ana tjetër nga Brukseli zyrtarë porosisin se zgjerimi i BE-së është dhe mbetet politika më e mirë strategjike e BE-së, për një qetësi të qëndrueshme dhe stabilitet. Por edhe përkundër kësaj zëdhënësi i BE-së nuk kishte përgjigje për deklarimet e Ministrit Holandez për punë të jashtme se anëtarëve të reja të BE-së duhet ti kufizohet mundësia për veto.
“Jemi të hapur për çdo sugjerim, se si ta bëjmë procesin më efikas, më të shpejtë dhe më të përshtatshëm me aktualitetin aktual gjeo-politik. Parimet tona themelore nuk kanë ndryshuar, procesi duhet të mbetet i bazuar mbi procesin e meritokracisë, të jetë fer dhe korekt. Sigurisht se janë të mirëseardhura sugjerimet të cilat vinë nga çdo vend anëtare për të cilat do të diskutohet në Këshillin Ministror në muajin tetor.”, u shpreh zëdhënësi i KE-së, Marcus Lambert.
Në fokus të qasjeve të reja të zgjerimit janë vendet e Ballkanit Perëndimor së bashku me Ukrainën dhe Moldavinë, porosia e Brukselit është e qartë nuk ka lëshim nga sundimi i shtetit ligjor, dhe standardeve evropiane.
FITIM KRYEZIU
