Maqedoni

Takimi Hahn–Besimi, marrëveshja e 2 qershorit bazë për arritjen e kompromisit

17.06.2015 18:37

Për eurokomisarin, Johanes Hahn, marrëveshja e 2 qershorit është dokument valid dhe duhet të jetë bazë...

Për eurokomisarin, Johanes Hahn, marrëveshja e 2 qershorit është dokument valid dhe duhet të jetë bazë mbi të cilën LSDM dhe partitë tjera të arrijnë kompromis të përhershëm politik për dalje nga kriza.
 
Është kjo porosia që eurokomisioneri Hahn përcolli pas takimit me zëvendëskryeministrin, Fatmir Besimi, në Bruksel. 
 
“Komisioneri Hahn dhe zëvendëskryeministri Besimi kanë biseduar për krizën, duke dhënë mbështetje për përparimin e bisedimeve midis partive politike. Komisioneri Hahn ka përsëritur porosinë deri tek të gjitha partitë politike që në interes të vendit dhe qytetarëve të gjendet një kompromis i përhershëm politik i bazuar në marrëveshjen e 2 qershorit. Ata gjithashtu biseduan për prioritet urgjente në reformat të cilat komisioni do t’i ndjek nga afër”- thuhet në komunikatën për media të eurokomisarit Hahn. 
 
Zëvendëskryeministri Besimi pas takimit u shpreh se Maqedonia gëzon mbështetjen e Brukselit për reforma, por edhe për dalje nga kriza politike.
 
“Mu dorëzua personalisht edhe raporti i Maqedonisë për masa urgjente dhe me prioritet për vendin, të cilat gjithashtu do të jenë pjesë përbërëse dhe do të shqyrtohen nga këshilli i BE-së gjatë javës së ardhshme. Kryesorja është se Maqedonia gëzon mbështetjen për reforma në integrimet euroatlantike, në Bruksel janë të interesuar që të shohin hapa konkret sa u takon reformave, të shohin sukses sa i takon dialogut politik, gjegjësisht se marrëveshja e arritur më 2 qershor në Shkup është një dokument valid”- tha zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Fatmir Besimi.
 
Sipas burimeve diplomatike nga Brukseli thuhet se Komisioni Evropian është në kontakt të vazhdueshëm me liderët e partive politike të kyçura në bisedime edhe përkundër faktit se më 10 qershor në Bruksel nuk u arrit asnjë marrëveshje. Pritet që së shpejti të caktohet një datë e re për një takim për bisedime, ndoshta sërish në Bruksel. 
 
Ndërkohë në fund të javës së ardhshme në Luksemburg do të mbahet samiti i liderëve të BE-së. Diplomatët në Bruksel thonë se Maqedonia duhet që të japë sinjale pozitive për tejkalimin e krizës para mbajtjes së samitit, në të kundërtën do të konstatohet paaftësia e vendit për të kapërcyer ngërçin politik.
 
MERAL ISMAILI