Botë

Katari ndërmjet Iranit dhe SHBA/ Propozohet korridor i përkohshëm detar në Ngushticën e Hormuzit

27.08.2026 19:00

Kryeministri dhe njëherësh ministri i Jashtëm i Katarit ka zhvilluar një vizitë në Teheran...

Kryeministri dhe njëherësh ministri i Jashtëm i Katarit, Sheikh Mohammed bin Abdulrahman Al Thani, ka zhvilluar një vizitë në Teheran, ku është takuar me ministrin e Jashtëm iranian, Abbas Araghchi.
 
Në qendër të diskutimeve ka qenë një plan për krijimin e një korridori të përkohshëm detar përmes Ngushticës së Hormuzit, një nga rrugët më të rëndësishme të transportit të naftës në botë.
 
Sipas Ministrisë së Jashtme të Katarit, dy zyrtarët kanë diskutuar gjithashtu një projekt të përbashkët për pastrimin e minave detare përgjatë kësaj rruge tregtare.
 
Takimi vjen në kuadër të përpjekjeve për uljen e tensioneve në rajon dhe krijimin e kushteve për dialog. Katari ka luajtur më herët rolin e ndërmjetësit mes Uashingtonit dhe Teheranit, duke kontribuar edhe në arritjen e një marrëveshjeje të përkohshme në qershor.
 
Vizita e Al Thanit në Teheran është e para që prej nisjes së konfliktit mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara.
 
Ndërkohë, situata në Ngushticën e Hormuzit vijon të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në tregjet energjetike. Sipas të dhënave të fundit, transporti i naftës përmes ngushticës ka rënë në rreth 5 milionë fuçi në ditë, nga afërsisht 20 milionë fuçi në ditë që kalonin përpara konfliktit.
 
Në të njëjtën kohë, Uashingtoni ka shtuar presionin ekonomik ndaj Teheranit përmes paralajmërimit të sanksioneve të reja, duke synuar dobësimin e lidhjeve tregtare të Iranit me partnerët e tij.