Maqedoni

Muaji i Ramazanit, arrijnë urimet nga politika

17.06.2015 18:46

Në prag të fillimit të Muajit të shenjtë të Ramazanit, besimtarëve u kanë mbërritur urimet e para edhe nga politika...

Përmes një telegram urimi, kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, të gjithë besimtarëve myslimanë u uron nisjen e Muajit të shenjtë të Ramazanit. 
 
“Sakrifica e besimtarit gjatë këtij muaji të shenjtë të agjërimit është përkushtim dhe devotshmëri për të ndjekur rrugën e besimit Islam si dhe në vlerat e paqes, bashkëjetesës, tolerancës, harmonisë dhe mirëkuptimit.  Uroj që ditët në vijim të festës së Ramazanit të na mbajnë edhe më afër këtyre vlerave, si dhe të jenë ditë gëzimi dhe lumturie familjare dhe ndërnjerëzore”- thuhet në telegram urimin e liderit të BDI-së, Ali Ahmeti.
 
Edhe kryeministri, Nikolla Gruevski, doli me urim që Muaji i shenjtë i Ramazanit dhe fillimi i agjërimit të sjellin paqe në shpirt, mirëkuptim, tolerancë, falje dhe harmoni. 
 
“Ardhja e festave të mëdha fetare gjithmonë ka sjellë qetësi dhe orientim drejt vlerave. Lutja, mendimi i mirë dhe veprat e mira le të jenë udhëheqje drejt gëzimit dhe fatit në familje të besimtarëve dhe gjithsej në Republikën e Maqedonisë dhe le të përhapin bashkëpunim dhe respektim ndaj të afërmve tuaj, fqinjëve, miqve dhe bashkëqytetarëve”- thuhet në urim.
 
Edhe presidenti, Gjorge Ivanov, thotë në urimin e tij se Ramazani është muaji i kushtuar lutjeve dhe faljeve, shpirtgjerësisë dhe ndihmesës, ngushëllimit dhe mëshirës kundrejt të pafatëve. 
 
“Në këtë periudhë të festimit dëshiroj tek të gjithë besimtarët e besimit islam të mbizotërojë ndjenja e paqes, dashurisë dhe mirëkuptimit të ndërsjellë”- thuhet në urimin e Ivanovit.
 
Urime besimtarëve myslimanë u kanë ardhur edhe nga përfaqësues të tjerë të partive politike. lëvizjeve, institucioneve dhe shoqatave të ndryshme.