Rajon
Prishtinë, protesta kundër vrasjes së grave
28.08.2026 15:11
Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist ka protestuar në Prishtinë, kundër vrasjes së grave....

Me moton “Vrasja e grave të trajtohet si urgjencë kombëtare”, Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist ka protestuar në Prishtinë, kundër vrasjes së grave. Protesta u organizua pas vrasjes së fundit të të dy grave, duke kërkuar që siguria e grave dhe vajzave të trajtohet si çështje me urgjencë kombëtare.
“Kemi dalë zemërthyer e të revoltuara duke bërtitur që ky patriarkat që po i shndërron burrat në kriminelë po vret gra cep më cep Kosovës. Kemi dalë se jemi të bindura që ne si vajza e gra të këtij vendi po jetojmë në gjendje lufte. Shumë prej nesh na mësohet prej fëmijërisë që jeta jonë është në fije të perit. Jetëgjatësia e dinjiteti i trupit e qenësisë tonë varet prej burrave të një sistemi patriarkal që e sheh vajzën e gruan në shërbim të pushtetit mashkullor, qoftë në shtëpi, qoftë në institucione, qoftë në ekonomi. Kësisoj, ne jemi dytësore e të rrezikuara prej dhunës ekonomike, përdhunimit, rrahjes, dhunës psikologjike e në fund edhe vrasjes. Krejt kjo vjen prej dhunës patriarkale që ushtrohet përmes dorës së burrave. Prej të njëjtës dhunë mashkullore përdhunohen edhe burrat, siç na u bë e ditur përmes lajmeve që në burgun e Dubravës 3 burra dhunuan një burrë tjetër. Këto fragmente mund të duken që s’kanë lidhje me njëra-tjetrën, po në fakt burojnë prej të njëjtit sistem e të njëjtës logjikë që rrah, përdhunon e vret.”, - theksoi Qëndresa Hyseni nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist.
Protesta u organizua pasi më 23 gusht një 26-vjeçar në Malishevë ka vrarë me armë zjarri bashkëshorten shtatzënë. Ndërsa më 26 gusht një 81-vjeçar dyshohet se ka ngulfatur bashkëshorten e tij 80-vjeçare në Prizren.
GYLTENE SINANI
