Maqedoni

Liturgji dhe kremtime në mbarë vendin, besimtarët ortodoksë festojnë Pashkën e Verës

28.08.2026 15:36

Besimtarët ortodoksë në Maqedoninë e Veriut kremtojnë Fjetjes së Hyjlindëses së Shenjtë...

Besimtarët ortodoksë në Maqedoninë e Veriut kremtojnë Fjetjes së Hyjlindëses së Shenjtë një nga festat më të mëdha të kalendarit ortodoks, e njohur ndryshe edhe si Pashka e Verës. Në të gjithë vendin janë mbajtur liturgji festive, ndërsa mijëra besimtarë kanë vizituar kishat dhe manastiret kushtuar Shën Mërisë. Qendra e festimeve është në Manastirin “Fjetja e Shën Mërisë” në Berovë, ku u mblodhën besimtarë nga pjesë të ndryshme të vendit.
 
“Festa filloi me liturgji, këtu në Berovë. Atje lart, te Manastiri, çdo vit mbahen kremtime madhështore. Kështu që kush ka mundësi shkon atje, kush nuk mundet, festa mbahet edhe këtu në qytet. Prandaj, ajo që më mbetet të them është vetëm urime festën për shumë vite të gjithëve. Faleminderit Zotit që e arritëm, uroj edhe vitin tjetër ta presim me më shumë dashuri.”, - tha një besimtare ortodokse.
 
“Uroj për të gjithë popujt të jetë mirë dhe të ketë paqe, tjetër nuk kam ç’të shtoj.”, - tha një besimtar ortodoks.
 
“Uroj shëndet për të gjithë, por edhe për ne. Është mirë të kalojmë bukur për festë. Festën e shënuam solemnisht. Shkojmë në kishë, pastaj kthehemi me familjarët, rrimë bashkë në shtëpi me nipër e mbesa.”, - u shpreh një besimtare ortodokse.
 
“Bashkimi është forca dhe e ardhmja jonë” ishte mesazhi që përcolli kryeministri Hristijan Mickoski, i cili mori pjesë në kremtimet e kësaj feste në Berovë, me ç’rast uroi të gjithë besimtarët ortodoksë, duke u dëshiruar shëndet, lumturi dhe mirëqenie për ta dhe familjet e tyre.
 
“Fillimisht dua t’ua uroj festën e madhe të krishterë ortodokse të gjithë besimtarëve që e kremtojnë sot, të gjithë të krishterëve ortodoksë, ndërsa të gjithë qytetarëve u uroj shëndet, lumturi dhe sukses për ta dhe familjet e tyre. Dëshira ime si kryeministër është që kjo ditë të shënohet me një mesazh bashkues, një mesazh që nënkupton bashkim, në fakt, kjo është edhe dëshira ime si Kryetar i Qeverisë.”, - deklaroi kryeministri i Maqedonisë, Hristijan Mickoski.
 
Në të njëjtën kohë, kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, përcolli urimet e tij, për të gjithë besimtarët ortodoksë dhe qytetarët që e kremtojnë këtë festë.  
 
“Uroj që kjo ditë festive të jetë e mbushur me paqe, qetësi dhe ngrohtësi familjare, si dhe të na kujtojë vlerat që na bashkojnë si shoqëri. Në frymën e bashkëjetesës dhe respektimit të dallimeve, të vazhdojmë së bashku të ndërtojmë një shoqëri ku çdo qytetar do të ndihet i respektuar dhe i barabartë. Të gjithë atyre që e festojnë, u uroj shëndet të mirë, mirëqenie dhe momente të këndshme festive me më të dashurit e tyre.”, thuhet në mesazhin e kryetarit të Kuvendit, Afrim Gashi.
 
Sipas traditës ortodokse, “Fjetja” nënkupton kalimin e Shën Mërisë nga jeta tokësore në jetën qiellore. Tradita kishtare e përshkruan Shën Mërinë si nënën dhe mbrojtësen shpirtërore të njerëzimit, ndërsa festa përcjell mesazhin se vdekja nuk shihet si fund, por si kalim drejt jetës së përjetshme. Ajo është ndër 12 festat më të mëdha të Kishës Ortodokse dhe në Maqedoninë e Veriut shoqërohet tradicionalisht me tubime të mëdha të besimtarëve. 
 
FARIJE DAUTI BAKIU