Zjarret, 7 aktive, 3 nën kontroll dhe një i shuar
28.08.2026 15:47
Deri në orën 13:00 të ditës së sotme, në Maqedoninë e Veriut janë regjistruar gjithsej 11 zjarre në hapësira të hapura....

Deri në orën 13:00 të ditës së sotme, në Maqedoninë e Veriut janë regjistruar gjithsej 11 zjarre në hapësira të hapura. Sipas Qendrës për Menaxhim me Kriza (QMK), shtatë prej tyre janë aktive, tre janë nën kontroll, ndërsa një zjarr është shuar. Zjarre janë regjistruar në komunat e Sarajit, Gostivarit, Makedonski Brodit, Çashkës, Jegunovcës, Prilepit dhe Ohrit.
“Kemi përsëri një zjarr aktiv në malin Zheden, një zjarr që shihet edhe nga ana e Shkupit, konkretisht nga fshati Kopanicë, përkatësisht nga territori i fshatit Kopanicë. I njëjti zjarr shihet edhe nga ana e Tetovës, ku ndodhet në territorin e fshatit Kopanicë. Në këtë zjarr sot po punojnë zjarrfikësit e Shkupit, ndërsa nga ana e Tetovës po punojnë zjarrfikësit e Tetovës. Për momentin, zjarri është përhapur në një terren të paarritshëm, ku qasja është shumë e kufizuar. Zjarri do të duhet të zbresë drejt pjesëve më të ulëta të malit dhe aty do të vihet nën kontroll të plotë. Besoj se gjatë ditës së sotme do të mund të shuhet plotësisht.”, - deklaroi drejtori i DMSh-së, Stojançe Angellov.
Zjarret nën kontroll janë në komunat e Dellçevës, Studeniçanit, Zelenikovës dhe Plasnicës, ndërsa një zjarr është shuar në fshatin Bansko të Komunës së Strumicës. Zjarret nën kontroll janë regjistruar në Komunën e Dellçevës, ku digjet një deponi, në fshatrat Moranë, Vërtekicë dhe Gaber të Komunës së Studeniçanit, si dhe në drejtim të fshatit Paligrad, mbi fshatrat Vërzhallë dhe Tisovicë të Komunës së Zelenikovës, ku është përfshirë pyll i përzier. Zjarr ka edhe në fshatin Dvorci të Komunës së Plasnicës, ku digjet një deponi.
Ndërkohë, është shuar zjarri në fshatin Bansko të Komunës së Strumicës, në një deponi ilegale.
ARMEND MURSELI
