Maqedoni

BDI akuzon për përjashtim të shqiptarëve, Iseni: Të flasim me fakte

28.08.2026 16:10

Bashkimi Demokratik për Integrim ka akuzuar subjektin politik në Qeveri VLEN...

Bashkimi Demokratik për Integrim ka akuzuar subjektin politik në Qeveri VLEN, se e njëjta po përjashton sistematikisht shqiptarët nga institucionet e rendit dhe sigurisë. Sipas deputetes së kësaj partie, Arta Bilalli, të dhënat nga konkursi i fundit për pranimin në Shkollën e Mesme të Policisë janë alarmante dhe dëshmojnë për një përjashtim sistematik të shqiptarëve nga strukturat e rendit dhe sigurisë. Sipas saj, nga gjithsej 310 kandidatë të pranuar, shqiptarët dhe komunitete tjera, janë vetëm 11. 
 
“Nga gjithsej 310 kandidatë të pranuar, shqiptarët, turqit, romët, serbët dhe pjesëtarët e komuniteteve të tjera joshumicë janë vetëm 11, ndërsa shqiptarët përbëjnë më pak se 3 për qind. Kjo nuk është përfaqësim i drejtë dhe adekuat, por një shpërfytyrim i strukturës reale të popullsisë në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Ky konkurs nuk është rast i izoluar. Ai është vetëm një tjetër dëshmi e një politike që po i përjashton shqiptarët nga institucionet e shtetit, veçanërisht nga organet e rendit dhe sigurisë. Më shqetësuese është se ky fenomen po prek edhe komunitetet e tjera joshumicë. BDI kërkon që ky konkurs të anulohet menjëherë dhe të përsëritet mbi kritere që garantojnë përfaqësim real dhe adekuat të të gjitha komuniteteve. Përgjegjësia politike për këtë situatë duhet të jetë e menjëhershme. Zëvendësministri i Punëve të Brendshme duhet të japë dorëheqje.”, - deklaroi Arta Bilalli nga BDI.
 
Por, me reagim ka dalë edhe vet zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Astrit Iseni, i cili përmes një reagimi në rrjetet sociale ka reaguar lidhur me debatin për përfaqësimin e shqiptarëve në institucionet e sigurisë, veçanërisht për konkursin për Akademinë Policore, e cila po rikthehet pas 26 vitesh. Përmes një statusi në Facebook, Iseni thotë se çështja e përfaqësimit të shqiptarëve në institucionet e sigurisë është një përgjegjësi që duhet marrë seriozisht dhe se çdo proces që ndikon në këtë përfaqësim duhet të zhvillohet me transparencë dhe mbi bazën e fakteve.
 
“Por, sot duhet të flasim me fakte, jo me propagandë. Që nga fillimi i procesit është bërë thirrje që sa më shumë të rinj shqiptarë të aplikojnë në konkursin për Akademinë Policore dhe ta shfrytëzojnë këtë mundësi. Megjithatë, interesimi i shqiptarëve për këtë konkurs nuk ka qenë në nivelin e pritshmërive, ndërsa një pjesë e kandidatëve që kanë aplikuar nuk janë paraqitur në fazën e testimit dhe, rrjedhimisht, janë tërhequr nga gara. Konsideroj të pandershme politikisht deklarimin se shqiptarët janë “përjashtuar”, pa u bërë e qartë se sa kanë aplikuar, sa kanë vazhduar procesin dhe sa kanë përmbushur kriteret e përcaktuara. Ne nuk do të lejojmë që një proces institucional të shfrytëzohet për të krijuar ndjenjën e përjashtimit te qytetari shqiptar.”, shprehet Iseni.
 
Zëvendësministri i Punëve të Brendshme thekson se qëndrimi i tij është për përfaqësim real, mundësi të barabarta dhe qasje të drejtë të shqiptarëve në çdo institucion. Në fund të reagimit, Iseni i drejtohet edhe Bashkimit Demokratik për Integrim, duke i bërë thirrje që të mos e përdorë këtë çështje për përfitime politike. 
 
FITIM KRYEZIU