Botë

Nepal, katastrofë pas katastrofe, liqeni doli nga shtrati, rrezik për tjetër përmbytje

28.08.2026 16:56

Një rrezik i ri po kërcënon zonat e prekura përgjatë kufirit mes Nepalit dhe Kinës....

Një rrezik i ri po kërcënon zonat e prekura përgjatë kufirit mes Nepalit dhe Kinës. Pas përmbytjeve shkatërruese, në pjesën e poshtme të rrjedhës, liqeni i sapoformuar ka nisur të dalë nga shtrati. Niveli i ujit po rritet, ndërsa frika nga një katastrofë e dytë i ka detyruar ekipet e shpëtimit të ndërpresin përkohësisht operacionet në të dyja anët e kufirit.
 
“Autoritetet kanë paralajmëruar për rrezik të shtuar nga përmbytjet dhe u kanë bërë thirrje banorëve të largohen nga brigjet e lumenjve dhe të zhvendosen në zona të sigurta.”, - deklaroi koordinatorja e përhershme e OKB-së në Nepal, Lila Peters Yahya. 
 
Rreziku për një valë të re përmbytjesh po vështirëson edhe reagimin humanitar. Ekipet në terren janë të detyruara të tregojnë kujdes të shtuar për shkak të mundësisë për rrëshqitje të reja dhe rritje të nivelit të ujërave.
 
“Jemi jashtëzakonisht të shqetësuar për mundësinë e një përmbytjeje tjetër, edhe pse autoritetet po punojnë shumë për të rihapur rrugët që janë bllokuar dhe për të arritur te komunitetet që ende nuk kanë marrë ndihmë.”, - theksoi shefi i Delegacionit të Kryqit të Kuq në Nepal, David Fisher. 
 
48 orë pas katastrofës, bilanci tragjik po rritet, ndërsa qindra persona vazhdojnë të rezultojnë të zhdukur, mes tyre edhe shtetas të huaj nga më shumë se 30 vende. Për familjet, këto nuk janë thjesht shifra. Ato vazhdojnë të presin lajme për të dashurit e tyre.
 
“Kam humbur gjithçka. Përmbytjet morën gjithçka. Mbetëm vetëm unë dhe këto rroba që kam veshur.”, - tha i mbijetuari, Rajendra Chitrakar.
 
UNICEF-i paralajmëron se mijëra fëmijë kanë nevojë për ndihmë të menjëhershme humanitare, ndërsa nga e gjithë bota po mbërrin mbështetje për të prekurit.
 
“Prioriteti ynë, mbi të gjitha, janë fëmijët. Duam të sigurohemi që ata të jenë të sigurt, të mbrojtur dhe, në fund, të kenë mundësi të rimëkëmben nga kjo katastrofë.”, - u shpreh Prina Shrestha nga UNICEF-i.
 
“Kemi njoftuar një paketë ndihme prej pesë milionë dollarësh, një pjesë e së cilës do t’i shkojë Programit Botëror të Ushqimit, ndërsa pjesa tjetër do të kanalizohet përmes agjencive të tjera për reagimin e menjëhershëm humanitar.”, - deklaroi ministrja e Jashtme e Australisë, Penny Wong.
 
“Kemi ofruar çdo lloj ndihme që u nevojitet. Askush nuk ka parë diçka të tillë më parë, ku ndërtesa shumë të fuqishme, të qëndrueshme dhe të ndërtuara mirë janë fshirë nga harta, sikur të ishin kunja dhëmbësh.”, - deklaroi presidenti i ShBA-së, Donald Trump.
 
Sipas vlerësimeve të deritanishme, vala masive e përmbytjeve është shkaktuar nga shembja e një akullnaje. Uji, akulli dhe materialet e sjella nga rrjedha shkatërruan shtëpi, rrugë dhe ura, duke lënë pas një skenë shkatërrimi përgjatë kufirit mes Nepalit dhe Kinës.
 
FARIJE DAUTI BAKIU