Rajon

Takimi i radhës me Abdixhikun, Kurti: Pres marrëveshje për presidentin

28.08.2026 18:08

Kurti pret që në takimin e radhës me Abdixhikun të arrihet marrëveshje për presidentin e shtetit. ...

Kryeministri në detyrë i Kosovës Albin Kurti pret që në takimin e radhës me kreun e LDK-së, Lumir Abdixhiku, të arrihet marrëveshje për presidentin e shtetit. 

“Do t’ju njoftojmë me kohë, po sa të merremi vesh për takimin e radhës dhe shpresojmë edhe marrëveshjen”, u shpreh kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti.
 
Por opozitës nuk po i pritet takimi i radhës mes Kurtit dhe Abdixhikut, ata kanë shkuar edhe sot në Kuvend edhe pse nuk ishte thirrur seancë nga kryesuesi Avni Dehari dhe kanë kërkuar vazhdimin e seancës konstituive. 
 
“Ne ishim prapë sot në sallën e Kuvendit për të kërkuar kthimin e funksionalitetit të Kuvendit të Kosovës. Sot është dita e njëzetë prej kur Kosova ka dalë jashtë rendit kushtetues. Sot në Kosovë nuk mbizotëron rendi kushtetues, nuk mbizotëron rendi ligjor. Sot institucionet e Kosovës i ka marrë peng një njeri i cili ka kërkuar votën e qytetarëve për të punuar në këtë vend, mirëpo atë votë po e shfrytëzon për të penguar funksionimin normal të institucioneve të Kosovës. Albin Kurti ka marrë peng Kosovën dhe ka marrë peng institucionet e Kosovës”, u shpreh deputeti i PDK-së, Arben Mustafa.
 
“Tanimë kjo shumicë parlamentare, e cila sot e sa ditë është duke bojkotuar dhe duke mos ushtruar detyrën e vet kushtetuese, me moskonstituimin e Kuvendit e ka sjellë Kosovën në një depresion të thellë shoqëror, ekonomik dhe politik”, u shpreh deputeti i Aleancës, Besnik Tahiri.