Maqedoni

Forcohet kontrolli mbi paratë publike, provim kombëtar për marrjen e certifikatës

29.08.2026 13:49

Pas një ndërprerjeje të gjatë, rikthehet certifikimi kombëtar i revizorëve...

Pas një ndërprerjeje të gjatë, rikthehet certifikimi kombëtar i revizorëve të brendshëm për sektorin publik. Ministria e Financave dhe Enti Shtetëror i Revizionit kanë rënë dakord për rikthimin e provimeve për marrjen e certifikatës së revizorit të brendshëm të autorizuar.
 
Synimi është forcimi i kontrollit mbi paratë publike, parandalimi i korrupsionit dhe identifikimi në kohë i rreziqeve në institucionet shtetërore. Pas nënshkrimit të memorandumit mes dy institucioneve, ministrja e Financave, Dimitrieska-Koçovska, theksoi rëndësinë e forcimit të revizionit të brendshëm në sektorin publik.
 
“Për herë të parë në vend, përmes Ministrisë së Financave do të zhvillohet provim kombëtar për marrjen e certifikatës së auditorit të brendshëm të autorizuar në sektorin publik dhe do të vendoset certifikimi kombëtar i auditorëve të brendshëm. Çdo denar i buxhetit dhe çdo euro nga fondet evropiane janë mjete të qytetarëve, ndërsa detyrimi ynë është të sigurojmë që ato të përdoren me përgjegjësi dhe në interes të tyre”, deklaroi ministrja e Financave, Dimitrieska-Koçovska.
 
Nga Enti Shtetëror i Revizionit vlerësojnë se rikthimi i certifikimit do të forcojë kontrollin e brendshëm në institucionet publike dhe do t’u mundësojë auditorëve të identifikojnë më herët parregullsitë dhe rreziqet, përfshirë ato që lidhen me prokurimet publike.
 
Kryerevizori shtetëror Acevski, thekson se lufta kundër korrupsionit nuk duhet të nisë vetëm me ndëshkimin, por mbi të gjitha me parandalimin dhe zbulimin në kohë të rreziqeve.
 
“Shkëmbimi i informacionit dhe koordinimi në fushën e Kapitullit 32, përkatësisht kontrollit financiar, janë veçanërisht të rëndësishëm për avancimin e reformave, si dhe për përgatitjen dhe zbatimin e rekomandimeve të Komisionit Evropian”, u shpreh kryerevizori i entit shtetëror Maksim Acevski.
 
Materialet dhe pyetjet për provimin tashmë janë publikuar, ndërsa certifikimi i ri pritet të forcojë profesionalizimin e revizorëve dhe të ndihmojë në përmbushjen e rekomandimeve të BE-së për kontrollin financiar.
 
FARIJE DAUTI BAKIU