Maqedoni
Glorifikimi i Mladiçit, BDI: VLEN toleron për hir të karrigeve
29.08.2026 14:25
Partitë politike shqiptare, në pushtet dhe opozitë, përplasen për glorifikimin e Ratko Mladiçit...

Partitë politike shqiptare, në pushtet dhe opozitë, përplasen për glorifikimin e Ratko Mladiçit nga disa zyrtar në vend. BDI akuzon VLEN-in se hesht dhe toleron glorifikimin e kriminelëve të luftës nga partnerët e saj maqedonas në Qeveri.
Nga BDI theksojnë se VLEN nuk mund të distancohet nga përgjegjësia duke reaguar vetëm përmes deklaratave publike, pasi është pjesë e pushtetit dhe bashkëqeveris me subjektet politike për të cilat ngre akuza.
“Partnerët e VLEN-it në Qeveri, të cilët VLEN-i i ka mbrojtur dhe legjitimuar në çdo aspekt, sot glorifikojnë Ratko Mladiçin dhe Draža Mihailoviçin. Ratko Mladiç nuk është një figurë për debat apo interpretim historik. Ai është një kriminel lufte i dënuar me burgim të përjetshëm për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte, përgjegjës, ndër të tjera, për gjenocidin në Srebrenicë, ku u vranë mbi 8.000 burra dhe djem boshnjakë”, thekson BDI.
VLEN dënon fuqishëm glorifikimin e kriminelëve
Sipas tyre, nuk bëhet fjalë për një incident të izoluar, por për qëndrime që, siç pretendojnë nga kjo parti, janë shfaqur në mënyrë të përsëritur nga Stoilkoviq dhe subjekti politik që ai përfaqëson.Nga ana tjetër, VLEN akuzon BDI-në se po e politizon çështjen dhe thekson se qëndrimi i tyre ndaj glorifikimit të kriminelëve të luftës është i qartë, duke kërkuar përgjegjësi nga zyrtarët publikë.
“VLEN dënon fuqishëm çdo glorifikim të çetnikëve dhe veçanërisht të Ratko Mlladiqit, i dënuar për gjenocid dhe krime të tjera të rënda. Akoma më shqetësuese është kur përmbajtje të tilla publikohen nga drejtuesi i një institucioni që ka për detyrë të mbrojë të drejtat e shqiptarëve dhe komuniteteve të tjera.Kjo nuk është çështje shijesh apo bindjesh personale. Është çështje e standardeve të një zyrtari publik dhe e mesazhit që institucionet ua dërgojnë qytetarëve.VLEN kërkon përgjegjësi të menjëhershme. Kush nuk respekton viktimat dhe vlerat e bashkëjetesës nuk mund të jetë garant i të drejtave të komuniteteve”, thekson VLEN.
Qeveria ka reaguar ndaj qëndrimit të Dalibor Kitanoviqit, duke theksuar se ai është personal dhe i papranueshëm..Nga Qeveria thonë se Ratko Mlladiqi është dënuar përfundimisht për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte nga gjykata ndërkombëtare.Kitanoviqit do t’i kërkohet ta tërheqë qëndrimin e tij, ndërsa nëse nuk pajtohet me politikat e Qeverisë, pritet të japë dorëheqje nga pozita që ushtron.
Reagon qeveria e RMV-së: Nëse Kitanoviqi nuk terhiqet, të jap doreheqje
”Qëndrimi i Dalibor Kitanoviqit është qëndrim i tij personal dhe i papranueshëm për Qeverinë. Qeveria i ndërton qëndrimet e saj në bazë të interesit të shtetit dhe qytetarëve. Pasi një qëndrim i tillë të jetë përcaktuar, ai duhet të respektohet nga të gjithë individët në Qeveri. Vullnetarizmi është i papranueshëm dhe Qeveria do t’i kërkojë Kitanoviqit ta tërheqë qëndrimin e tij. Nëse Kitanoviqi nuk pajtohet me politikat e Qeverisë, presim që ai të tërhiqet nga pozita që ushtron”, thuhet në komunikatën e qeverisë.
Reagimet u nxitën pasi ministri Ivan Stoilkoviq publikoi një mesazh lavdërues për Ratko Mladiçin, ndërsa drejtuesi i Agjencisë për Realizimin e të Drejtave të Komuniteteve, Dalibor Kitanoviq, publikoi një imazh të krijuar me inteligjencë artificiale ku Mladiçi dhe Draža Mihailoviçi paraqiten si „gjeneralë të ushtrisë qiellore“.
Të dy figurat lidhen me krime të rënda të forcave serbe ndaj shqiptarëve dhe boshnjakëve, ndaj publikimet kanë shkaktuar reagime të ashpra dhe përplasje politike mes BDI-së dhe VLEN-it.
FARIJE DAUTI BAKIU
