Maqedoni
Konkursi për policë, BDI: Kanë aplikuar 105 kandidatë shqiptarë
29.08.2026 15:01
Kanë vazhduar akuzat dhe kundërakuzat në mes Bashkimit Demokratik...

Kanë vazhduar akuzat dhe kundërakuzat në mes Bashkimit Demokratik për Integrim dhe zv/ministrin e Brendshme Astrit Iseni rreth pranimit të pak shqiptarëve në shkollën e mesme të policisë. Sipas BDI-së, listat e kandidatëve tregojnë se 105 shqiptarë kanë aplikuar dhe i kanë plotësuar kushtet për pranim, por megjithatë janë lënë jashtë procesit.
“Të dhënat dhe listat e kandidatëve e demaskojnë publikisht gënjeshtrën e Astrit Isenit dhe VLEN-it se shqiptarët nuk kanë pasur interesim apo nuk kanë konkuruar për pranim në shkollën e mesme për polic. Plot 105 kandidatë shqiptarë kanë aplikuar dhe i kanë plotësuar kushtet për pranim, por nuk janë pranuar. Kjo e rrëzon përfundimisht arsyetimin e Astrit Isenit, i cili për të mbrojtur një vendim që dëmton rëndë përfaqësimin e shqiptarëve, ka zgjedhur të manipulojë opinionin publik me të pavërteta. Astrit Iseni doli publikisht në mbrojtje të vendimit skandaloz, përmes të cilit nga 310 kandidatë të pranuar, vetëm një numër minimal janë shqiptarë. Për ta arsyetuar këtë përjashtim, ai u përpoq të manipulojë opinionin me pretendimin se shqiptarët nuk kanë aplikuar ose nuk kanë pasur interesim të mjaftueshëm, duke paraqitur shifra që nuk përputhen me realitetin dhe me listat e kandidatëve që kanë aplikuar dhe i kanë plotësuar kushtet”, thuhet në komunikatën e BDI-së.
Iseni: Kanë aplikuar 29 shqiptarë apo 5,7%.
Por Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Astrit Iseni, ka dhënë detaje rreth numrit të shqiptarëve të cilët kanë aplikuar, dhe atyre që nuk kanë kaluar testimin.
“Në konkursin për shkollën e mesme të policisë kanë aplikuar gjithsej 509 kandidatë, prej të cilëve 29 shqiptarë apo 5,7%. Përse ky interesim kaq i ulët? Është çështje që duhet trajtuar. Në përzgjedhjen administrative janë eliminuar 106 kandidatë, ndërsa 403 kanë vazhduar më tej. Prej të eliminuarve, 12 kanë qenë shqiptarë, të cilët nuk i kanë plotësuar kriteret për shkak të suksesit në vitet paraprake shkollore. Kritere që vlejnë për secilën shkollë të mesme brenda vendit, ngjashëm edhe për atë të policisë”, deklaroi zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Astrit Iseni.
Iseni sqaron se 2 kandidatë shqiptarë nuk e kanë kaluar testin e përgjithshëm, ndërsa 2 të tjerë nuk janë paraqitur fare në testim, që i bie se nga numri total i nxënësve shqiptarë që kanë aplikuar numri ka rënë 25 dhe në fund janë pranuar 13 kandidatë shqiptarë.
FITIM KRYEZIU
