Botë
Nepali në kaos nga përmbytjet: Vijojnë kërkimet, më shumë se 2 mijë të zhdukur
29.08.2026 15:19
Beteja me kohën në Nepal po bëhet gjithnjë e më e ashpër...

Pas përmbytjeve katastrofike përgjatë kufirit me Tibetin. Bilanci i viktimave po rritet, ndërsa më shumë se dy mijë persona vazhdojnë të figurojnë të zhdukur.
Afati kritik prej 72 orësh po skadon. Ekipet e shpëtimit vijojnë pa pushim kërkimet për të mbijetuar, por reshjet e reja e vështirësojnë edhe më shumë operacionin. Për familjet, çdo orë është një betejë e re mes shpresës dhe frikës. Ndërsa ata që i mbijetuan katastrofës, thonë se uji erdhi papritur dhe me shpejtësi të frikshme.
“Nuk mund ta gjej të afërmin tim. Mendoj se ka mbetur i bllokuar në pyje. Por besoj se do të kthehet”, deklaroi i afërm i një personi të zhdukur Sudip Karki.
“Isha në një pikë karburanti, larg lumit. Kurrë nuk e mendova se do të vinte kaq shumë ujë, por erdhi si një stuhi, me shpejtësi të jashtëzakonshme. Mbeta i bllokuar në baltë, por u kapa pas diçkaje dhe arrita të shpëtoja”, u shpreh i mbijetuar nga përmbytjet Navraj Adhikari.
“Skena të tilla i kam parë vetëm në filmat e Hollivudit dhe në pamjet e cunameve në Japoni. Kjo më dukej edhe më e rrezikshme”, theksoi pronar i një shtëpie të dëmtuar Ajay Gudhrel.
Katastrofa ka shkatërruar dhe izoluar fshatra të tëra në Nepal. Nevoja për ndihmë për banorët është urgjente, paralajmërojnë autoritetet shëndetësore.
“Duket se i gjithë fshati është marrë nga uji, familje të tëra, qendra shëndetësore – gjithçka. Njerëzit kanë nevojë urgjente për mbështetje. Po përpiqemi të vlerësojmë nevojat dhe t’i përgjigjemi qeverisë së Nepalit me gjithçka që mundemi në këtë moment”, deklaroi përfaqësuesi i OBSH-së në Nepal, Balvinder Singh Chaula.
OKB-ja vlerëson se të paktën 93 mijë persona janë prekur nga katastrofa. Ndërkohë, formimi i një liqeni të dytë dhe reshjet e parashikuara gjatë fundjavës rrisin rrezikun për përmbytje të reja dhe përhapjen e sëmundjeve infektive.
“Besojmë se të paktën 93 mijë persona janë prekur dhe kanë nevojë të madhe për ndihmë. Sigurisht, jemi shumë të shqetësuar për një përmbytje të dytë”, u shpreh kreu i delegacionit të Kryqit të Kuq në Nepal, David Fisher.
“Kur kemi një katastrofë të përmasave të tilla dhe zhvendosje të popullsisë, mund të kemi ndërprerje të furnizimit me ujë, shërbimeve sanitare dhe shëndetësore, dhe kjo mund të rrisë edhe rrezikun nga sëmundjet infektive”, theksoi zëdhënësi i OBSH-së, Tarik Jasarević.
Sipas vlerësimeve fillestare të autoriteteve nepaleze, kostoja e katastrofës është enorme dhe mund të arrijë deri në 5 miliardë dollarë, ose gati 10 për qind të ekonomisë së vendit.
FARIJE DAUTI BAKIU
