Maqedoni
Virozat sezonale, në Tetovë preken rreth 140 fëmijë
29.08.2026 15:37
139 raste të reja janë regjistruar vetëm në 48 orët e fundit...

139 raste të reja janë regjistruar vetëm në 48 orët e fundit në Repartin e Pediatrisë pranë Spitalit Klinik të Tetovës. Fluksi i fëmijve është shtuar ndjeshëm si pasojë e temperaturave të larta, ndërsa simptomat më të shpeshta me të cilat paraqiten fëmijët janë temperatura e lartë, vjellja dhe diareja.
“Në spitalin klinik të Tetovës gjegjësisht në repartin e pediatrisë kemi pasur 139 rast në 48 orët e fundit. Nga të cilët 12 fëmijë janë hospitalizuar edhe të tjerët janë lëshuar me terapi shtëpiake.”, theksojnë nga Reparti i Pediatrisë – Tetovë.
Specialisti i pediatrisë, dr. Isa Osmani, sqaron se në pjesën më të madhe të rasteve bëhet fjalë për viroza sezonale, të cilat gjatë periudhës së verës përhapen më lehtë për shkak të temperaturave të larta, mënyrës së ushqyerjes dhe kontaktit mes fëmijëve.
“Për këtë moshë fëmijërore, shumica e rasteve janë viroza me karakter sezonal. Për shkak të temperaturave të larta, mënyrës se si bëhet ushqimi, përdorimit të qumështit artificial — i cili kërkon një higjienë jashtëzakonisht të madhe gjatë përgatitjes — si dhe kontaktit mes fëmijëve të sëmurë dhe atyre të shëndetshëm, të gjitha këto ndikojnë. Këto viroza janë faktikisht ngjitëse dhe shfaqin simptoma të caktuara. Megjithatë, jo për çdo rast duhet të shkohet menjëherë në spital pas një barkqitjeje apo vjelljeje. Nëna duhet, për shembull, të ketë elektrolite dhe të aplikojë mënyra të ndryshme ushqyerjeje që të mos vihet deri te dehidrimi. Mirëpo, nënat tona shpesh frikësohen se fëmija mund të dehidrohet“, deklaroi pediatri Isa Osmani.
Kanë reaguar edhe nga ASH- ja ku pyesin institucionet pse heshtni në këto raste.
“Pse tani heshtin?Shëndeti publik nuk mund të trajtohet sipas komunës, kryetarit apo interesit politik të ditës. Kur shifrat përdoren për sulm politik në Gostivar, ndërsa për shifra serioze në Tetovë zgjidhet heshtja, qytetarët kanë të drejtë të kërkojnë përgjigje” thuhet në komunikatën e ASH-së.
Ndërkaq mjekët apelojnë te prindërit që të kenë kujdes të shtuar me higjienën e ushqimit, të sigurojnë hidratim të mjaftueshëm për fëmijët dhe të shmangin kontaktin me persona të prekur, me qëllim parandalimin e përhapjes së mëtejshme të virozave.
VISAR SADIKI
