Botë

Ukrainë-Rusi: Sulme me dronë mes palëve, goditet impianti më i madh i naftës në Rusi

29.08.2026 16:03

Dronët ukrainas kanë goditur gjatë natës një nga impiantet...

Dronët ukrainas kanë goditur gjatë natës një nga impiantet më të mëdha të përpunimit të naftës në Rusi. Sulme janë raportuar edhe në Moskë dhe rrethinat e saj. Sipas presidentit ukrainas, në një operacion të veçantë është dëmtuar edhe një bombardues strategjik rus, TU-95, në bazën ajrore Engels në rajonin e Saratovit.
 
Ndërkohë, rajoni i Kievit është vënë sërish në shënjestër të sulmeve ruse me dronë. Mbi dhjetë ndërtesa banimi dhe depo janë goditur, ndërsa dëmet ende janë duke u vlerësuar.
 
“Shpresoj që zjarrfikësit do ta shuajnë zjarrin dhe nuk do të arrijë deri te magazinat tona, por, për fat të keq, për shkak të alarmit, zjarrfikësit nuk mundën ta shuanin zjarrin dhe u detyruan të largoheshin nga zona për shkak të rrezikut të ndonjë shpërthimi tjetër”, deklaroi qytetari.
 
“Në orën 5:50 minuta kishte një shpërthim të fuqishëm dhe ja çfarë ndodhi, siç mund ta shihni edhe vetë. Brenda tre-katër minutash i gjithë parkingu u dogj. Disa njerëz arritën t'i mbronin veturat e tyre, por pak prej tyre patën mundësi ta bënin një gjë të tillë”, u shpreh qytetari.
 
Zelenski dënoi sulmet ruse me dronë ndaj qyteteve ukrainase, duke thënë se Shtetet e Bashkuara e kanë informuar për takimet e fundit të zhvilluara në Moskë.
 
Ai akuzoi Kremlinin se ka zgjedhur „taktikën e përshkallëzimit të terrorit”, me paralajmërime të vazhdueshme për sulme ajrore dhe goditje me dronët „Shahed”. Sipas presidentit ukrainas, paqja mbetet e paarritshme për shkak të udhëheqjes së Moskës.
 
“Mund të arrihej paqja shumë kohë më parë. Por e vetmja palë që nuk është e interesuar për paqen është udhëheqja në Moskë. Nëse Rusia refuzon të angazhohet në negociata serioze për përfundimin e kësaj lufte, do të pësojë humbje edhe më të mëdha”, theksoi presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski.
 
Kremlini mohon se janë zhvilluar takime. Për momentin, negociatat mbeten në status quo. Presidenti amerikan Donald Trump thotë se Putin nuk do të sulmojë një vend anëtar të NATO-s.
 
Gjatë vizitës së fundit në Moskë, drejtori i CIA-s, Xhon Retklif, u ka paralajmëruar zyrtarëve rusë që të mos e përshkallëzojnë konfliktin me aleatët amerikanë në NATO, veçanërisht me Estoninë, Letoninë dhe Lituaninë, por edhe të mos e ndihmojnë Iranin.
 
Ndërkohë, shqetësimet për shfaqjen e dronëve ushtarakë në hapësirën ajrore nordike dhe baltike po rriten. Si pjesë e masave të sigurisë, avionë luftarakë dhe anije ushtarake suedeze do të kontribuojnë në mbrojtjen e sigurisë së Finlandës.
 
FARIJE DAUTI BAKIU