Maqedoni

Stuhia godet pjesën lindore të vendit, reshje të rrëmbyeshme dhe dëme në disa qytete

30.08.2026 14:26

Stuhi e fuqishme me shi të rrëmbyeshëm...

Stuhi e fuqishme me shi të rrëmbyeshëm, erëra të forta dhe bubullima goditi mbrëmjen e së shtunës lindjen dhe verilindjen e Maqedonisë së Veriut. Më të prekura janë Koçani, Oblesheva, Kriva Pallanka, Vinica, Dellçeva dhe Kumanova, ku janë raportuar dëme materiale dhe probleme në komunikacion.

Në disa zona janë rrëzuar pemë dhe pjesë të çative, ndërsa materialet e shpërndara në rrugë kanë vështirësuar qarkullimin. Në afërsi të Koçanit, një pemë e rrëzuar ka bllokuar rrugën në drejtim të Vinicës.

Situata më kritike raportohet në Obleshevë, ku pas stuhisë është ndërprerë furnizimi me energji elektrike. Reshjet e dendura dhe erërat e fuqishme kanë shkaktuar gjithashtu probleme në komunikacion dhe dëme në disa pjesë të zonës.

Stuhia përfshiu Koçanin dhe rajonin pak pas orës 20:00, ndërsa sipas të dhënave nga terreni, Kriva Pallanka ka regjistruar sasinë më të madhe të reshjeve.

Ekipet në terren po punojnë për pastrimin e rrugëve dhe sanimin e dëmeve, ndërsa autoritetet po monitorojnë situatën në zonat e prekura.

FARIJE DAUTI BAKIU