Maqedoni
Tetovë, shlyhen borxhet ndaj punëtorëve në NPK-Tetovë
30.08.2026 15:02
Pas më shumë se 15 vitesh, punëtorët e Ndërmarrjes Publike Komunale në Tetovë...

Pas më shumë se 15 vitesh, punëtorët e Ndërmarrjes Publike Komunale në Tetovë kanë marrë pagat dhe kontributet e plota, ndërsa nuk kanë më paga të prapambetura.
Kjo u bë e ditur nga kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, së bashku me drejtorin e NPK-së, Samet Bislimi, dhe punëtorët e ndërmarrjes, gjatë një aktiviteti të organizuar në Sheshin „Iliria“. Kasami tha se ky ka qenë një nga premtimet e dhëna dhe se tashmë është realizuar.
“Ka qenë një sfidë vërtet e madhe, pasi kjo ndërmarrje me vite ka qenë e ngulfatur në borxhe. Ne i kemi pasur në fokus këta punëtorë të ndërmarrjes, ashtu si edhe punëtorët e Komunës së Tetovës dhe të ndërmarrjeve të tjera në kuadër të Komunës së Tetovës, që t’i marrin rrogat në rregull dhe me kontribute të paguara. Ajo që më bën të lumtur sot është se këta punëtorë, që kontribuojnë për pastërtinë e qytetit, nga sot përfundimisht do të marrin paga të rregullta, me kontribute të paguara dhe sigurim shëndetësor të paguar”, deklaroi kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami.
Ndërsa drejtori i NPK-së, Samet Bislimi, tha se qëllimi i tij që nga emërimi në krye të ndërmarrjes ka qenë pagesa e të gjitha pagave të prapambetura për të punësuarit.
“Që nga emërimi im si drejtor, qëllimi kryesor ka qenë që këta të punësuar të kenë paga të rregullta, kontribute të rregullta dhe sot mund të them lirisht se ndoshta jam njeriu më i lumtur që e kam arritur këtë dhe i shoh të punësuarit të buzëqeshur”, u shpreh drejtori i NPK-së Tetovë, Samet Bislimi.
Kasami theksoi se po punohet edhe për gjetjen e një alternative tjetër për të siguruar më shumë mjete për NPK-në e Tetovës.
Ai tha se është në diskutim mundësia që mjetet që vijnë nga gjobat për parkimin e veturave në trotuare dhe vende të tjera, t’i kalojnë ndërmarrjes, me qëllim që të ketë stabilitet financiar.
VISAR SADIKI
