Botë

ShBA-Venezuelë, marrëveshje për naftën: Investime amerikane në industrinë e naftës

30.08.2026 16:12

Marrëveshja e naftës mes SHBA-së dhe Venezuelës hap një kapitull të ri...

Marrëveshja e naftës mes SHBA-së dhe Venezuelës hap një kapitull të ri në marrëdhëniet mes Uashingtonit dhe Karakasit. Marrëveshja 25-vjeçare parashikon zhvillimin e 17 fushave strategjike të naftës dhe rritjen e prodhimit në më shumë se 1.5 milionë fuçi në ditë.
 
Sipas qeverisë venezueliane, marrëveshja mund t’i sjellë vendit më shumë se 200 miliardë dollarë të ardhura, ndërsa investimet pritet të rimëkëmbin industrinë, të hapin vende të reja pune dhe të kontribuojnë në rimëkëmbjen ekonomike.
 
“Venezuela ruan pronësinë dhe sovranitetin mbi burimet e saj, ndërsa përdor kapitalin, teknologjinë dhe kapacitetin operacional për të rimëkëmbur industrinë strategjike dhe në këmbim përfiton prodhim, vende pune, investime në infrastrukturë, të ardhura më të larta për qeverinë dhe lidhje më produktive me industrinë vendase”, deklaroi u.d presidenti i Venezuelës, Delcy Rodríguez.
 
Por marrëveshja nuk ka marrë mbështetje unanime në Venezuelë. Një pjesë e qytetarëve druhen se nga rezervat e mëdha të naftës përfitimin më të madh do ta kenë SHBA-ja.
 
“Mendoj se kjo është një masë që duhej të ndërmerrej, por jo për qëllimet që ndjekin ata që janë aktualisht në pushtet. Është sikur t’ju jap një sasi të madhe nafte, për sa kohë që më lini mua këtu në pushtet”, u shpreh shitës ambulant në Karakas, Douglas Borhas.
 
Për disa prej tyre, shqetësimi kryesor është se qytetarët nuk kanë asnjë ndikim mbi marrëveshjen.
 
“Kjo nuk është vetëm shqetësuese, por edhe skandaloze, sepse ne venezuelianët jemi vetëm një pikë në oqean. Nuk kemi asnjë fuqi për të ndërhyrë”, theksoi arkitekti në Karakas, Lisandro Kastro.
 
Nga Uashingtoni, marrëveshja është paraqitur si një përfitim i madh ekonomik dhe një fitore për të dyja palët. Trump e cilësoi atë si „historike”, duke pritur rritje të furnizimit me naftë dhe ulje të çmimit të karburantit për amerikanët. Sipas një zyrtari amerikan, SHBA-ja do të ketë 55 për qind të kontrollit në investimin e përbashkët me një operator privat në Venezuelë.
 
“Kjo marrëveshje historike më shumë se dyfishon rezervat amerikane të naftës, rrit ndjeshëm furnizimin tonë me naftë dhe, në planin afatgjatë, do të ulë ndjeshëm çmimet e benzinës për të gjithë amerikanët”, u shpreh presidenti I ShBA-së, Donald Trump.
 
Marrëveshja shënon një kthesë të madhe në politikën amerikane ndaj Karakasit. Pas viteve të sanksioneve dhe presionit të fortë politik e ekonomik ndaj qeverisë së Maduros, rrëzimi dhe arrestimi i tij në janar hapën rrugën për një pran të drejtpërdrejtë amerikane në sektorin energjetik të Venezuelës.
 
Tani Trump kërkon që kompanitë amerikane të investojnë të paktën 100 miliardë dollarë në rimëkëmbjen e industrisë venezueliane të naftës – në një vend që zotëron rezervat më të mëdha të provuara të naftës në botë.
 
FARIJE DAUTI BAKIU