Botë

Kosovë, Dita Ndërkombëtare e Personave të Zhdukur

30.08.2026 16:38

Kosova shënon Ditën Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur me Dhunë...

Mbi 27 vjet pas përfundimit të luftës në Kosovë, zyrtarisht rreth 1,600 persona figurojnë ende si të zhdukur, ndërsa familjet e tyre vazhdojnë të presin përgjigje për fatin dhe vendndodhjen e më të dashurve të tyre.
 
Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, bëri homazhe te Monumenti i Personave të Zhdukur. Ajo theksoi se mbi 1,500 persona vazhdojnë të jenë të pagjetur dhe se çështja e tyre nuk do të konsiderohet e mbyllur deri në gjetjen e personit të fundit.
 
Edhe kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, pas homazheve te Memoriali i Personave të Zhdukur me Dhunë, tha se familjet e mbi 1,500 personave të pagjetur vazhdojnë të jetojnë me ankth dhe pikëllim, pasi ende nuk kanë një varr të denjë për më të dashurit e tyre.
 
Ai rikujtoi deklaratën e 2 majit të vitit 2023, përmes së cilës, Serbia është zotuar për bashkëpunim në hapjen e arkivave për zbardhjen e së vërtetës.
 
“Një ndër dosjet më të rëndësishme që të deklasifikohet është ajo e brigadës së motorizuar ushtarake të Ushtrisë Jugosllave 37, e cila ka kryer shumë masakra në Kosovë e posaçërisht në Drenicë”, tha Kurti.
 
Ai kërkoi që përgjegjësia për krimet dhe zhdukjet me dhunë gjatë luftës të zbardhet, ndërsa familjeve t’u jepen përgjigje për fatin e të afërmve të tyre.