Maqedoni

Shtatë zjarre ende aktive, gjithsej 24 të regjistruara brenda 24 orëve

31.08.2026 09:45

Gjatë 24 orëve të fundit, në hapësira të hapura në vend janë regjistruar gjithsej 24 zjarre...

Gjatë 24 orëve të fundit, në hapësira të hapura në vend janë regjistruar gjithsej 24 zjarre, prej të cilave shtatë janë ende aktive, një është vënë nën kontroll, ndërsa 16 janë shuar plotësisht, njoftoi Qendra për Menaxhimin e Krizave.

Deri në orën 07:30, aktive janë zjarret ndërmjet fshatrave Bellë Cërkvë dhe Podmoçan në Komunën e Resnjës, ku digjet pyll me pisha dhe vegjetacion i ulët, si dhe zjarri në zonën ndërmjet Kopanicës dhe Radushës në Komunën e Sarajit. Zjarre aktive ka edhe mbi fshatin Paligrad në Komunën e Zelenikovës, mbi fshatin Nixhillovë, në vendin e quajtur Svatovi në Komunën e Çashkës, në afërsi të fshatit Urviç në Komunën e Bogovinës, te fshati Gradec në Komunën e Vrapçishtit dhe te fshati Dragov Dol në Komunën e Makedonski Brodit.
 
Nën kontroll është vënë zjarri që ishte përhapur nga zona e fshatit Trnovë në Komunën e Gostivarit drejt fshatrave Bitovë, Zagrad dhe Strajane në Komunën e Makedonski Brodit.
 
Ndërkohë, zjarrfikësit kanë shuar edhe 16 zjarre të tjera në hapësira të hapura në disa komuna në mbarë vendin.