Maqedoni

Zjarri në Pelister nën kontroll, me helikopter po shuhet zjarri në Gradec

31.08.2026 14:51

Mbi 23 zjarre në ambiente të hapura janë regjistruar në vend, ndërsa shtatë prej tyre vazhdojnë të jenë aktive....

Mbi 23 zjarre në ambiente të hapura janë regjistruar në vend, ndërsa shtatë prej tyre vazhdojnë të jenë aktive. Pjesa tjetër është lokalizuar ose shuar falë ndërhyrjes së ekipeve të zjarrfikësve. Vëmendja kryesore gjatë natës ishte përqendruar te zjarri në malin Pelister, i cili konsiderohej si një nga zjarret më të rënda dhe më komplekse të këtij viti. Pas një beteje të ashpër me flakët, zjarri është vënë plotësisht nën kontroll këtë mëngjes. Drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Stojançe Angelov, njoftoi se në terren janë angazhuar ekipe nga Resnja dhe Manastiri, pjesëtarë të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, ekipet e NP “Pyjet Kombëtare”, si dhe zjarrfikës vullnetarë. 
 
“Për momentin dy zjarre janë të vështira për t’u shuar. I pari është zjarri që para dy ditësh filloi nga ana e Prespës, në rrëzë të malit Pelister. Gjatë ditës së djeshme, gjatë natës dhe deri në mëngjes u zhvillua një luftë e ashpër me flakët e zjarrit dhe sot në mëngjes ky zjarr u vu nën kontroll të plotë. Në terren janë angazhuar zjarrfikës nga Resnja dhe Manastiri, ekipet e Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim me pesë Air Tractor, si dhe zjarrfikës vullnetarë. Në shuarjen e zjarrit ndihmojnë edhe ekipet e Pyjeve Kombëtare. Zjarri i dytë kompleks ndodhet në territorin e fshatit Gradec, në Komunën e Vrapçishtit, ku është përfshirë një pyll me pisha në një terren shumë të vështirë për t’u arritur. Për shuarjen e tij është angazhuar një helikopter policor, i cili furnizohet me ujë nga një liqen aty pranë dhe çdo disa minuta kryen hedhje uji mbi vijën e zjarrit.”, - deklaroi drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Stojançe Angelov.
 
Aktive mbeten edhe disa vatra të tjera, të cilat kanë përfshirë sipërfaqe më të mëdha. Megjithatë, sipas autoriteteve, për momentin ato nuk paraqesin rrezik të drejtpërdrejtë për vendbanimet, pyjet cilësore apo sipërfaqet e tjera pyjore. Angelov u bëri thirrje qytetarëve që të tregojnë kujdes të shtuar, pasi rreziku nga zjarret mbetet jashtëzakonisht i lartë edhe gjatë muajit shtator.
 
ABIBE QAILI